Mbledhja e komisionit | Foto: KALLXO.com

Ismet Beqiri Do që Policia të Qëndrojë Larg Zhvillimeve Politike

Anëtari i LDK-së në Komisionin për Punë të Brendshme Ismet Beqiri tha se dëshiron që policia t’u qëndrojë sa më larg zhvillimeve politike

“Pushtetet ndërrohen shpesh, por dëshira jonë është që të qëndroni sa ma larg ndikimeve politike”, i sugjeroi Beqiri Shpend Maxhunit, drejtorit të përgjithshëm të policisë.

Maxhuni është duke raportuar sot para Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e FSK-së.

Ismet Beqiri anëtari i komisionit tha se policia duhet të respektohet nga deputetët.

“Qytetarët duhet me respektu Policinë e Kosovës, e me respektu duhet edhe na, deputetët. Duhet të bëjmë më tepër edhe për pagat e sigurimit shëndetësorë për juve”, tha më tutje Beqiri.

Edhe Maxhuni deklaroi se është optimist që çështja e sigurimit shëndetësor do të zgjidhet shpejt.

“Na mungon sigurimi shëndetësor për pjesëtarët tanë. Ne e dimë qe kjo çështje ende nuk është rregulluar ke ligj, e dimë që është duke u punuar dhe po besoj që me hyrjen në fuqi Policia e Kosovës do ta gëzojë këtë. Puna jona dallon nga profesionet tjera, pa dashtë me minimizu kontributin e të tjerëve”, tha Maxhuni.

Gjatë raportimit të tij, Maxhuni tregoi se në 2017-ën është rritur numri i aksidenteve me fatalitet.