Isa Mustafa: Qeveria Synon ta Çojë Mandatin Deri në Fund

Kërkesës së vazhdueshme të opozitës për largim të qeverisë dhe, rrjedhimisht, zgjedhje të parakohshme në Kosovë, kryeministri i vendit Isa Mustafa, i është përgjigjur me vendosmëri të shprehur që ta vazhdojë punën deri në kohën kur përfundon mandati i ekzekutivit, në qershor të vitit 2018.

“Qëllimi i qeverisë është ta çojë mandatin deri në fund”, tha Mustafa në mbledhjen e sotme të qeverisë.

Sipas tij, qeveria është e përkushtuar ta realizojë programin e vet qeverisës ku, siç u shpreh ai, përfshihet zhvillimi ekonomik, hapja e vendeve te punës, tërheqja e investimeve të huaja, zhvillimi ekonomik, integrimet evropiane dhe euroatlantike e forcimi i shtetit ligjor.

Por për t’i arritur këto synime, Mustafa i bëri thirrje opozitës që të largohet nga mjetet me të cilat deri më tani e ka sfiduar qeverinë.

“Për t’i realizuar të gjitha këto në emër të qeverisë i bëjë ftesë opozitës të kthehen në kuvend, të heqin dorë nga mjetet e dhunës dhe diskursi i urrejtjes”, tha ai.