Inspektorati Policor i Kosovës - Foto: KALLXO.com

IPK Nis Grumbullimin e të Dhënave për Deportimin e Gjuriqit dhe 6 Shtetasve Turq

Inspektoriati Policor i Kosovës (IPK) ka njoftuar se Departamenti i Hetimeve bazuar në autorizimet ligjore ka filluar me mbledhjen dhe grimbullimin e informacioneve në lidhje me dyshimet për shkelje eventuale nga ana e zyrtarëve të Policisë së Kosovës me rastin e arrestimit të Marko Gjuriq.

“Varësisht nga gjetjet nga ky proces i grumbullimit të informacioneve dhe analizës së tyre do të ndërmerren edhe veprime të tjera”, ka thënë IPK për KALLXO.com.

Kurse sa i përket rastit të deportimit të gjashtë shtetasve turq, Inspektorati Policor i Kosovës ka thënë se e autorizuar një inspektim të jashtëzakonshëm për të vlerësuar veprimet e zyrtarëve policorë në lidhje me këtë rast.

“Ky inspektim akoma nuk ka përfunduar dhe zyrtarët e IPK-së nga Departamenti i Inspektimeve janë në proces të këtij inspektimi”, thuhet në përgjigjen e IPK-së.

Marko Gjuriq, drejtori i Zyrës së Qeverisë së Serbisë për Kosovën, ishte arrestuar më 26 mars në Mitrovicën Veriore, pasi hyri pa leje në Kosovë. Ai atë ditë ishte sjellë në Prishtinë dhe më pas ishte deportuar në Serbi nëpërmjet Merdarit.

Tre ditë më vonë, në mëngjesin e 29 marsit u arrestuan gjashtë shtetas turq nga Policia e Kosovës dhe u deportimit për në Turqi. Drejtori i përgjithshëm i shkollës “Mehmet Akif” në Kosovë, Mustafa Erdem, zëvendësi i tij Yusuf Karabina, drejtori i shkollës në Gjakovë, Kahraman Demirez dhe dy arsimtarë, Djihen Ozkan dhe Hasan Gunakana. Në mesin e të arrestuarave dhe të deportuarve ishte edhe mjeku Osman Karakaja.

Pas deportimit të gjashtë shtetasve turq kryeministri i vendit thirri Këshillin Kombëtar të Sigurisë, Këshill ky në të cilin bënin pjesë edhe ish- Ministri i Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj dhe ish-drejtori i AKI-së, Driton Gashi të cilëve iu kërkua lirimi nga detyra.