Suspendohet një polic i dyshuar për kontrabandë me mallra

Një zyrtar i Policisë së Kosovës është suspenduar më 28.03.2024 nën dyshimet për kontrabandë me mallra.

Sipas njoftimit i njëjti dyshohet se ka kontrabanduar mallra përmes pikës kufitare Qafë Prush në vlerë mbi 4,000 euro.

Ai dyshohet se ka kontrabanduar kamera, alarme dhe mjete tjera për internet.

“Pas ndërmarrjes dhe veprime paraprake, hetuesit e IPK-së kanë gjetur se zyrtari policor (me detyrë në Njësitin Rajonal të Komunikacionit Rrugor në Gjakovë) ka kontrabanduar mall përmes pikës kufitare Qafë Prush në vlerë prej mbi 4,000 euro (kamera, alarme dhe mjete tjera për internet) duke vozitur dhe përdorur një veturë private. Hetuesit e IPK-së kanë intervistuar disa dëshmitarë dhe të dyshuarin (zyrtarin policor) dhe në konsultim me Prokurorinë kanë iniciuar rastin “Kontrabandim me mallra”- ka njoftuar PK.

Po ashtu, IPK i ka rekomanduar Policisë së Kosovës masën e suspendimit të zyrtarit policor të dyshuar në këtë rast si dhe rekomandimin për suspendim edhe të udhëheqësit të ndërrimit në pikën kufitare Qafë Prushi në kohën kur dyshohet se është kryer vepra penale.

Ndërsa thuhet se në koordinim të plotë me Prokurorinë e Shtetit, do të vazhdojnë të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të plotë të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë rast.