Foto: KALLXO.com

Institucionet kosovare pa vizion për zhvillimin e turizmit kulturor

Institucionet kosovare, si ato qendrore ashtu dhe ato lokalem, sipas ekspertëve për vite me radhë kanë dështuar të hartojnë politika të qarta dhe efikase për zhvillimin e turizmit kulturor në vend.

Trashëgimia kulturore, sidomos ajo arkeologjike ka një shtrirje të gjerë në mbarë vendin, duke ofruar mundësi të mëdha për zhvillimin e turizmit kulturor, fushë kjo e cila shihet si mjaft e rëndësishme për zhvillimin ekonomik.

Vizitat e shumta në vitet e fundit në monumentet historike në Prizren dhe Ulpianë dëshmojnë për të mirat që sjell fusha e turizmit kulturor.

Megjithatë,  institucionet ende nuk kanë statistika të sakta për vizitueshmërinë dhe interesimin e turistëve në nivel vendi, për asete dhe pasurinë kulturore të Kosovës.

Megjithatë, ekspertë të fushës së turizmit dhe të trashëgimisë kanë pohuar për KALLXO.com se pak është bërë për shfrytëzimin e këtyre resurseve.

Sipas tyre janë një mori të metash që ndikojnë në moszhvillimin e fushës së turizmit, që nga mungesa e investimeve, informacioneve, mos seriozitetit, deri tek masat burokratike që përballen institucionet e trashëgimisë.

Neglizhenca që zbeh vlerat kulturore

Etnologu Bashkim Lajçi, ekspert në fushën e trashëgimisë kulturore ka thënë për KALLXO.com se edhe përkundër faktit se turizmi kulturor është një fushë e rëndësishme në afirmimin e vlerave kulturore dhe në rritjen ekonomike të një vendi, te ne akoma nuk është duke iu kushtuar rendësi sa duhet.

“Këtë e themi duke pasur parasysh gjendjen e vlerave tona kulturore, veçmas të monumenteve kulturore, pastaj të institucioneve përkatëse që merren me këtë problematikë”, ka pohuar Lajçi

Më tej ai  shton se nëse vazhdohet me ketë tempo të mosinteresimit, përveç tjetrash rrezikohet edhe zhdukja e vlerave kulturore të vendit.

Ndërsa Baki Hoti, kryetar i Shoqatës së Turizmit Alternativ të Kosovës ka thënë për KALLXO.com se në përgjithësi  institucionet duhet të punojnë dhe t’i japin  më shumë prioritet sektorit të turizmit, siç ka thënë ai, si ato lokale edhe ato qendrore.

Për zhvillimin e fushës së turizmit kulturor, thotë Hoti,  institucionet duhet të  krijojnë politika të qarta dhe efikase.

“Institucionet qendrore ato lokale por edhe institutet apo mekanizmat të cilët janë të thirrur për zhvillimin edhe mirëmbajtjen e monumenteve të kulturës dhe trashëgimisë duhet të punojnë më tepër dhe në kohë të bëjnë ndërhyrjet e duhura që këto të jenë gati për turistët”, ka thënë Hoti

Mundësitë e Prishtinës

Përjashto Prizrenin, kryeqyteti Kosovar prin në nivel vendi për mundësitë që ka për zhvillimin e turizmit kulturor.

Por, vetëm në muajt e fundit ka nisur më seriozisht ta shoh rëndësinë që ka fusha e turizmit, sidomos ajo kulturore edhe në zhvillimin ekonomik.

Pas shumë premtimesh dhe pritjesh vetëm këtë muaj, shtator 2018, komuna e Prishtinës inauguroi kioskën turistike, pikë me rëndësi ku vizitorët mund të orientohen për vizitën që duan t’i bëjnë kryeqytetit.

Yll Rugova, drejtor i drejtorisë për kulturë në komunën e Prishtinës  që mbulon edhe sektorin e turizmit, ka thënë për Kallxo.com përmes info -qendrës turistike, komuna është duke promovuar trashëgiminë kulturore, përfshirë ndërtesat e kohës moderniste.

“Harta të cilën e ka punuar Fondacioni Kosovar i Arkitekturës, e me mbështetje të Komunës i ofron turistëve informata për këto ndërtesa, por edhe ku ndodhen ato.  Besoj se ky masat që po merren janë më seriozet sa i përket mbrojtjes së trashëgimisë kulturore në kryeqytet, duke përkuar edhe me vitin evropian të trashëgimisë që është këtë vit, pra 2018”, ka thënë drejtori Rugova.

Komuna e Prishtinës, ka thënë më tej ai,  ka ndërmarrë masa për restaurim dhe riorganizim urban të Qendrës Historike të Prishtinës dhe në ë kuadër të këtij projekti, është emëruar ‘Zemra e Prishtinës’, ka filluar puna për restaurimin e tri ndërtesave në Qendrën Historike.

Rugova ka folur edhe për projekte dhe investime që Komuna e Prishtinës planifikon të bëjë për përmirësimin e trashëgimisë, që është edhe çelësi i zhvillimit të turizmit kulturore, investime këto që do të kryhen në bashkëpunim edhe me partner tjera, si TKA, UNDP, etj.

“Në përgjithësi kemi filluar punën sivjet në tre ndërtesa, viti tjetër do të jetë me intensitet edhe më të madh sa i përket punëve të trashëgimisë kulturore në Prishtinë, duke rregulluar një pjesë të mirë të aseteve historike të qytetit”, ka pohuar Rugova.