Kryeshefja e MCC-së merr pjesë në përurimin e renovimit të Soliterëve në Prishtinë

Kryeshefja e Korporatës Sfidat e Mijëvjeçarit (MCC), Alice Albright ka marrë pjesë në përurimin e renovimit të 5 soliterëve në lagjen “Ulpiana” në kryeqytet.

Bashkë me të ishin edhe kryetari i Prishtinës Përparim Rama, nënkryetarja Donjeta Sahatçiu, ministrja e ekonomisë, Artane Rizvanolli, Ambasadori i SHBA-së Jeff Hovenier dhe përfaqësusesi i MCC-në Kosovë, Petrit Selimi.

Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeff Hovenier tha se kriza energjetike që ka prekur gjithë Evropën ka ndikuar edhe në Kosovë pasi nuk ka shumë burime të energjisë, përpos thëngjillit.

“Është kënaqësi të jem këtu për të parë ndikimin e investimeve të MCC-së në Prishtinë. Siç e dimë kriza energjetike që ka prekur Evropën, po ndikon edhe në Kosovë dhe ka ndikim më të madh për shkak se nuk kemi burime të shumta të energjisë, por jemi duke u bazuar në thëngjill”- ka thënë ai.

Ai shtoi se SHBA po ndihmon Kosovën që të ulë varësinë në thëngjill.

“Qeveria e SHBA-së po ndihmon Kosovën që të zvogëlojë këtë varësi që e ka në thëngjill. Kjo është një nga mënyrat si mund të ndihmohet Kosova. Energjia që më së paku përdoret është ajo që kushton më lirë, prandaj na vjen mirë që po ndihmojnë në rritje të eficiencës”- shtoi ai.

Kryeshefja e MCC-së, Alice Albright falënderoi të gjithë ata që mundësuan punimet në renovimin e Soliterëve. Ajo tha se nga viti 2004, MCC ka investuar rreth 15 miliardë dollarë në 49 shtete.

“Jam shumë e lumtur që jam këtu në Kosovë për të kremtuar mbylljen zyrtare të programit të MCC-së. Dua t’i falënderoj të gjitha ata që e kanë mundësuar këtë projekt. Që nga viti 2004, MCC ka bashkëpunuar me 49 shtete ka investuar gati 15 miliardë dollarë për të shtyrë përpara rritjen ekonomike. Ne besojmë se u kemi ndihmuar rreth 215 milionë njerëzve”- tha ajo.

Tutje, Albright potencoi se bashkëpunimi me qeverinë e Kosovës ka nisur në vitin 2017 me nënshkrimin e  marrëveshjes për 40 milionët e parë.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli tha se SHBA janë partner kyç që po ndihmojnë Kosovën në tranzicionin energjetik.

“SHBA ka qenë dhe vazhdon te jetë nga partnerët kyç në sektorin tonë të energjisë duke na ndihmuar në tranzicionin energjetik me burime të ripërtëritshme të energjisë. Investime të tilla në një kohë kur çmimet e energjisë janë të larta, janë shumë të nevojshme”- tha ajo.

“Kemi nisur me një fond prej 6 milionë euro për pajisje eficiente të ngrohjes, për 6 ditë kemi pasuir 6 mijë aplikime. Masa të ngjashme do vazhdojnë edhe në të ardhmen”- shtoi Rizvanolli.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, tha se këto ndërtesa kanë paraqitur rrezik për jetën e qytetarëve, prandaj investimi do të vazhdojë edhe në pjesë tjera të qytetit.

Investimi total në renovimin e 5 soliterëve është 2,6 milionë euro, MCC ofron 60 për qind të financimit, Komuna 30 për qind dhe NPB me banorët 10 për qind (5+5) të financimit.

Prishtina është një nga shtatë komunat e zgjedhura për investim në objekte të vjetra shumëkatëshe që po bëhen me ndihmë të MCC-së.

Komunat tjera përfituese të këtij aktiviteti specifik, në kuadër të projektit “Subvencione për Efiçencë të Energjisë në Kosovë – SEEK” janë Lipjani, Mitrovica, Novobërda, Vitia, Gjakova. SEEK implementohet dhe mbikqyret nga kompania gjermane GFA.

Kurse, përfaqësuesi i MCC-së në Kosovë, Petrit Selimi tha se për 2-3 javë përfundon tërësisht puna në renovim të soliterëve.