Plani për renovim të ‘Soliterëve’ në lagjen Ulpiana - VIDEO

 

Komuna e Prishtinës në bashkëpunim me Bankën Botërore dhe MCC do bëjë renovimin dhe përmirësimin e efikasitetit të energjisë elektrike te ‘Soliterët’ në lagjen ‘Ulpiana’.

Si pjesë e këtij projekti është fasadimi i ‘Soliterëve` për të ndikuar në kursim të energjisë, rrjedhimisht edhe në mbrojtjen e ambientit.

Prishtina është një nga shtatë komunat e zgjedhura për investim në objekte të vjetra shumëkatëshe.

Kryetari Shpend Ahmeti, tha se ‘Soliterët’ janë ndërtesa ikonë të lagjes ‘Ulpiana’ me arkitekturë interesante të kohës së komunizmit.

Ahmeti tha se është përgatitur dizajni për renovim të ndërtesave pas dakordimit me banorët.

Do të rinovohet i tërë mbështjellësi i ndërtesave (fasada & dritaret), kulmet, hapësirat e përbashkëta, si dhe NPB ka marrë përsipër të rregulloj problemet me instalime të ujit dhe kanalizimit aty ku është e nevojshme.

I pari i Prishtinës gjithashtu bëri të ditur se së shpejti do të fillojë edhe projekti i vendosjes së njehsorëve në ngrohjen qendrore si pjesë e fondit të MCC-së, që sipas tij, secili banor që ka ngrohje qendrore do të ketë matës individual.

Petrit Selimi, tha se 70 për qind e investimit do mbulohet nga MCC, kurse pjesa tjetër nga komuna.

Sipas Selimit si përfaqësues i MCC-së, punimet pritet të fillojnë në pranverë ku edhe mund të ketë vizita nga anëtar të MCC-së në Amerikë.

Tek pesë ‘Soliterët’ pritet të ketë investim deri në 2 milionë euro, kurse në total me investimin në efiçiencë të energjisë deri në 10 milionë.

Nga NPB është thënë që në këto punime do ketë pjesëmarrje simbolike në financim edhe nga banorët.