‘Injorim i Plotë’ Ndaj Ofendimit nga Kryeministri

Komentet kundërthënëse të kryeministrit Isa Mustafa, të bëra të shtunën në profilin e tij në “Facebook”, Igballe Rogova ka vendosur t’i injorojë plotësisht. “Nuk ia vlen me u marrë me të”, thotë ajo.

Drejtoresha e Rrjetit të Grupeve të Grave të Kosovës ka thënë për KALLXO.com se nuk çuditet nga komentet e fundit të shefit të Qeverisë.

“Kryeministri nuk mendon për atë se si ndihen gratë në Kosovë. Ai nuk mërzitet për atë punë fare. Ai e ka tregu këtë edhe në qeverisje, ku s’i ka konsideru që gratë janë të rëndësishme me qenë në Qeveri”, ka thënë Igballe Rogova, duke shtuar se deklarata të ngjashme ofenduese i pari i Qeverisë ka bërë edhe shumë herë të tjera.

Drejtuesja e organizatës që përkrah, mbron dhe promovon të drejtat dhe interesat e grave dhe vajzave në Kosovë besohet se ka qenë cak i komenteve, të cilësuara “ofenduese” dhe “seksiste”, të kryeministrit Isa Mustafa ditën e shtunë.

“Ata që “frikësohem” se mos po e lëshojnë Kosovën pasi i ka lëshuar mendja, janë disa gra që i kanë kullotë të gjitha fondet e mundshme nga perëndimi… e mos po lenë burrat e tyre e po shkojnë në Kore të Veriut (sepse as Kuba nuk i pranon) apo disa OJQ-ista nacionalist ,mos po turren kah lindja.” ishte komenti i kryeministrit i drejtuar kundër drejtoreshës së Rrjetit të Grupeve të Grave të Kosovës, pasi që organizata kishte dënuar trajtimin e dyshimtë të deputetes Albulena Haxhiu nga anëtarët e Policisë së Kosovës gjatë dhe pas seancës parlamentare të 19 shkurtit 2016, dhe kërkonte hetim të menjëhershëm të kushteve të arrestimit dhe trajtimit të saj nga anëtarët e Policisë së Kosovës.

Disa orë më vonë, pas reagimit të shoqërisë civile, medieve e individëve, kryeministri kishte korrigjuar postimin e tij, duke e hequr emrin “gra” dhe fjalinë “e mos po i braktisin burrat e tyre”.

http://kallxo.com/kryeministri-korrigjon-veten/

“Ai bën gjeste të pamatura dhe pastaj kur e sheh reagimin e tjerëve tërhiqet. Prandaj ne nuk e kemi pa të arsyeshme me ju përgjigj njeriut i cili mendon ashtu dhe i cili ka tregu edhe në Qeveri që mendon ashtu. Prandaj e kemi injoruar komplet. Se nuk ia vlen me u marrë me të”, ka thënë Igballe Rogova për KALLXO.com.

Postimin e kryeministrit Mustafa e cilëson ofendues edhe analistja Besa Luzha. “Mund të them që niveli i tillë i të menduarit dhe të shprehurit është ofendues dhe nuk i ka hije një kryeministri, e aq më pak një akademiku”, ka thënë ajo për KALLXO.com. [interaction id=”56cc35fbe5be274a1fddda76″]