Shkolla Pranverore Feministe | Foto: Artpolis

‘Shkolla Pranverore Feministe’ bën bashkë në Prizren gra e vajza nga Kosova e Serbia

“Shkolla Pranverore Feministe” mblodhi këtë muaj në Prizren 20 gra dhe vajza të reja nga Kosova e Serbia, në kuadër të një programi të edukimit joformal për t’u dhënë hapësire grave dhe vajzave të reja nga dy vendet që të krijojnë një vizion të përbashkët për lëvizjen feministe.

Për disa ditë sa qëndruan së bashku në Prizren, me ftesë të organizatës “ArtPolis”, ato shkëmbyen përvoja personale dhe dëgjuan histori motivuese për aktivizmin e grave nga dy vendet gjatë viteve të 90-ta.

“Artpolis” dhe “Alternative Girls Center/Krushevc” tani e nëntë vjet organizojnë “Shkollën Pranverore Feministe.”

Në këtë edicion, rëndësi iu dha ngjarjeve të rëndësishme në vitet e 90-ta, kur kishin nisur luftërat në ish-Jugosllavi dhe rolin e grave aktiviste në atë kohë.

Igballe Rogova nga Rrjeti i Grave të Kosovës dhe Lepa Mlađenoviq nga “Gratë në të zeza” ndanë historitë e tyre të aktivizmit gjatë viteve të 90-ta.

Rrëfimet e tyre u dëgjuan nga një grup i vajzave dhe grave nga Kosova e Serbia, ku shumë prej tyre ndoshta nuk kishin qenë fare të lindura në atë kohën.

Igballe Rogova dhe Lepa Mlladenoviq | Foto: Artpolis

“Gratë në të zeza” është një organizatë feministe që ka vepruar dhe vepron në Serbi, e që nisën aktivizmin e tyre në një kohë aspak të lehtë.

“Në vitet e 90-ta kam bashkëpunuar me ‘Gratë në të zeza’. Organizatë që në ato vite, çdo të mërkurë ka protestuar kundër regjimit të Millosheviqit. E në atë kohë unë kam qenë tradhtare në Kosovë, pse shkoja në Serbi. Por ma vonë, pas luftës, përmes medias, qytetarët e kuptuan se kush janë ‘Gratë në të zeza’” – thotë Igballe Rogova kur flet për kohën kur kishte nisur bashkëpunimin me këtë organizatë.

Këto kujtime të mbështjellura me sakrificë e forcë u ndanë për 20 gratë e vajzat e reja.

“Sot e ndava storjen me të pranishmit qysh ne në vitin 2006, jo veç Prishtina e Beogradi, por të gjitha qytetet e tjera, më të vogla u bëmë bashkë. Në atë konferencë është pa revolucioni, është thyer gjendja politike, po edhe gjendjen e dhimbjes që kishin njerëzit në Kosovë. Gratë në të zeza e thyen atë, duke dalë para nesh, secila prej tyre që ka qenë, duke kërkuar falje për ato çka kanë ndodhur në Kosovë në emrin e tyre. Për ne ka qenë kërkim falja e parë publike, e këtë kanë bërë ‘Gratë në të zeza’” – thotë Igballe Rogova.

“E pranova ftesën me ardhë, sepse unë besoj që atë që e kemi bërë ne, po e vazhdon në mënyrë fantastike sot ‘Artpolis’ me një organizatë në Serbi, e që po vazhdojnë bashkëpunimet e përbashkëta. Ani pse as sot nuk është lehtë, por me durim. Nuk mundesh me ndërtu paqe, pa qenë involvim i dy gjinive” –  thotë Rogova.

Ajo vlerëson organizimet e tilla, sepse beson që të rinjtë duhet të shohin realitetin dhe se komunikimi është çelësi.

“Rinia duhet me vazhdu edhe me pa realitetin. Kjo arrihet përmes komunikimit, artit, medias, teatrit etj. Të pranishëm ishin të reja nga Kosova e Serbia. Kur e rrëfyem storjen tonë të gjitha ishin në vajë”- thotë Rogova derisa flet mbi bisedën e saj disa-orëshe me këtë grup të vajzave.

“Edhe këto vajzat nga Serbia, kanë ardhë, kanë pa e kanë dëgju. Është shumë e rëndësishme që kanë ardhë. Këto kthehen, e zgjerojnë rrethin edhe tregojnë se çka kanë pa, tregojnë përshtypjet e tyre” – thotë mes tjerash ajo.

Përveç rrëfimit të Igballe Rogovës, u dëgjua edhe historia e Lepa Mladenoviq, aktiviste nga “Gratë në të zeza.”

Në rrëfimin e saj, Mledenoviq kishte folur për guximin që kishte lindur gjatë viteve të 90-ta për themeluar këtë grup të grave, që pastaj do të protestonin vazhdimisht.

“Në vitet e 90-ta, kur nisën luftërat, ne kemi themeluar organizatën ‘Gratë në të zeza’, me qëllimin e vetëm që të protestojmë kundër regjimit serb që nisi luftën. Ne me porosinë që me trupat e tonë të qëndrojmë për një orë të tëra, që luftërat të mos bëhen në emrat tonë” – kujton Lepa Mladenoviq.

“Për ne ka qenë e rëndësishme solidarizimi me gratë në anën tjetër, sepse gratë në shtete e tjera që u formuan pas shpërbërjes së Jugosllavisë nuk janë armiqtë tonë. Ne këtë e kemi bërë edhe me gratë në Kroaci e Bosnje e Hercegovinë” – thotë ajo.

Lepa Mladenoviq e vlerëson shumë faktin që takime të tilla si ky po organizohen, derisa kërkon që këto të vazhdojnë sepse janë shumë të rëndësishme në ndërtimin e paqes.

Mladenoviq tregon se pas përfundimit të luftërave kanë vizituar shumë vende të dhimbjes e pikëllimit.

“Ideja ka qenë që t’i tregojmë të mbijetuarve dhe familjeve që kanë pësuar humbje, që ne e dimë çfarë ka ndodhur aty, që neve na intereson krimet që regjimi serb i ka kryer edhe në emrat tonë. Që ndjejmë keqardhje për çka ka ndodhur” – thotë ajo.

Venera Ismaili nga organizata “ArtPolis” tregon se cili është qëllimi i “Shkollës Pranverore Feministe.”

“Është model i programit (joformal) i shkollës që bashkon të rejat nga komunitetet shqiptare dhe serbe në shkëmbimin e kulturave dhe përvojave personale, për t’u dëgjuar dhe për t’i dëgjuar ligjëratat/ngjarje motivuese që promovojnë histori suksesi nga gratë të cilat luftojnë për të siguruar trajtim të barabartë në shoqërinë dominuese në Kosovë dhe Serbi.” – thotë Ismaili.

Aktivizmi merr rol më të madh kur kalon kufijtë e komunitetit në të cilin ndër-veprojmë. Përmes kësaj shkolle, gratë dhe vajzat kanë mundësi të njihen me aktivizimin feminist edhe nga Serbia e Kosova.

“Në këtë shkollë, pjesëmarrëset njihen me aktiviste feministe nga Kosova dhe Serbia në sfera të ndryshme: puna në organizata joqeveritare, në pozita akademike, politike, shoqërore dhe jo vetëm, pra aktiviste që e kanë kthyer teorinë në veprim. Pjesëmarrëset në këtë shkollë mësojnë edhe për të kaluarën e Kosovës, për luftën dhe dhembjet që ka shkaktuar lufta” – thotë Venera Ismaili nga ArtPolis.

“Ky aktivitet është një platformë që synon të ndërthurë përvojat nga të dy grupet për të inicuar bashkëpunimin dhe interaktivitetin mes dy vendeve dhe në këtë mënyrë të ndërtojnë solidaritetin dhe pakësojnë dallimet që gratë kanë me njëra-tjetrën – duke forcuar motërzim përtej kufijve” – thotë mes tjerash Ismaili.

Një nga të pranishmit ishte edhe Amela Tandir nga Novi Pazari, për të cilën nuk është hera e parë që vjen në Kosovë.

Pavarësisht se viziton shpesh Kosovën, ato çfarë ajo thotë se i dëgjoi gjatë kësaj shkolle, ishin informata të reja për të.

“Unë pres që të shpërndahet fjala e të vërtetës dhe gjërat të emërtohen ashtu siç janë. Sot dëgjova shumë gjëra për të cilat s’kam pasur njohuri” – thotë Amela.

“Është shumë e dhimbshme që kjo mënyrë e shpërndarjes të së vërtetës dhe të emërtimit të gjërave ashtu siç janë, nuk dëgjohet përmes mediave të forta kombëtare. Nga panjohuria, ne krijojmë një imazh të shtrembëruar për të tjerët” – thotë mes tjerash Amela.

Amela beson që vizita e dy vendeve nga qytetarët do t’i ndihmonte atyre që të njohin realitetin.

“Duhet që njerëzit nga dy vendet ta vizitojnë vendin e njëri-tjetrit dhe ta shikojnë me syrin e tjetrit. Udhëtimi dhe vizitat në vendet e ndryshme, i zgjeron horizontet e njerëzve.”

“Nuk ka nevojë që udhëtimet e para t’i bëjnë në fund të botës, por njëherë t’i vizitojnë fqinjët e tyre së pari. Le të jetë ajo pikënisja e udhëtimeve të tyre” – thotë Amela.

Amela Tandir në të majtë dhe Figen Shaban në të djathtë – Pjesëmarrëse në Shkollën Pranverore Feministe | Foto: Artpolis

Ndërsa Figen Shaban, një e re nga Prishtina tregon që ka nisur të njeh më shumë për organizmin feminist në Serbi që prej pjesëmarrjes në “Shkollën Pranverore Feministe.”

“Edhe në sesionin e parë të ‘Shkollës Pranverore Feministe’ që ka qenë në prill të këtij viti kam marrë pjesë. Sigurisht që disa organizata i kam njohur.”

Rrëfimi i Igballe Rogovës e Lepa Mladenoviqit, Figenit po i japin shpresë.

“Ka qenë një sesion shumë prekës për mua, i Igballes dhe Llepës. Shoqëria e tyre na jep një shpresë shumë të fuqishme që duhemi me i besu që mundet me ekzistu shoqëria midis popujve që kanë pasë luftë në të kaluarën dhe mos me u përsëritë ma. Gratë munden me qenë ato të cilat mund t’i ndalin luftërat” – thotë Figen.

“Këto shembuj të shoqërisë midis vajzave dhe grave në Ballkan, që nuk e flasin gjuhën e njëjtë na bën edhe neve me pa si të mundur” – thotë ajo.

Për 4 ditë sa u organizua “Shkolla Pranverore Feministe” përveç rrëfimit të Igballe Rogovës e Lepa Mladenoviqit, të pranishmit dëgjuan edhe rrëfimet e aktivisteve të tjera nga fusha të ndryshme si, Feride Rushiti, Jeta Xharra, Resmija Rahman, Yllka Soba e Elena Avdija.