Ilir Tolaj Deklarohet i Pafajshëm

Pasi Ilir Tolaj nuk ishte deklaruar në seancën e kaluar se a ndihet i pafajshëm, a fajtor, ndërsa avokati i tij paraqiti të premten kundërshtimin e aktakuzës, ish-sekretari i Ministrisë së Shëndetësisë u pyet nga gjyqtarja se a do të thotë ky kundërshtim se deklaroheni i pafajshëm.

Tolaj u përgjigj “Po, sot deklarohem i pafajshëm”.

Përveç Tolajt në këtë proces gjyqësor akuzohen edhe pesë zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë- Zenel Kuqi, Florie Tahiri, Bekim Fusha, Valentina Haxhiu dhe Remzie Thaçi.

Të akuzuar ishin edhe biznesmenët Arion Lleshi e Shpend Agani që pranuan fajësinë për veprat  penale të mashtrimit dhe të shmangies nga tatimi dhe gjykata u shqiptoi dënimin me nga dy vjet burg me kusht dhe me nga 1 mijë euro gjobë. Po ashtu gjykata obligoi biznesmenët t’ia kthejnë shtetit mbi 400 mijë euro.

Lleshi e Agani lidhën marrëveshje për pranim fajësie me prokurorin special, të cilën më pas e pranoi edhe gjykata.

http://kallxo.com/dy-biznesmene-do-ti-kthejne-buxhetit-te-shtetit-402-228-euro/

Pasi Tolaj u deklarua i pafajshëm, gjyqtarja tregoi se nuk i ka pranuar të gjitha kundërshtimet e aktakuzës nga të akuzuarit dhe mbrojtësit e tyre.

Ajo tregoi se kundërshtimin nuk e kishte pranuar nga i akuzuari Bekim Fusha dhe e akuzuara Florie Tahiri.

Bekim Fusha e dorëzoi sot një kopje të kundërshtimit të tij me shkrim të aktakuzës, ndërsa Kujtim Kërveshi, avokati i Florie Tahirit th ase kundërshtimin e ka dorëzuar me rekomande dhe se me siguri nuk ka ardhur ende ne gjykatë, por një kopje të kundërshtimit  i dorëzoi gjykatës.

Pastaj avokatët duke iu përgjigjur pyetjes së gjyqtares thanë se u mbetet besnikë kundërshtimeve të dorëzuara, ndërsa prokurori kërkoi një javë kohë për t’i shqyrtuar këto kundërshtime.

Ilir Tolaj e kundërshtoi një kërkesë të tillë të prokurorit, por gjyqtarja ia dha kohën e kërkuar përfaqësuesit të akuzës, duke ia shpjeguar Tolajt se prokurori ka të drejtë ta kërkojë këtë kohë.

Aktakuza e Prokurorisë Speciale ndaj të akuzuarve përbëhet nga tri pika.

Pika e parë akuzon Ilir Tolajn, Bekim Fushën dhe Zenel Kuqin se gjatë periudhës 23. 5.2011 deri 31.12.2011 në Prishtinë, në bashkëveprim, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, me qëllim që të përfitojë dobi materiale kompania “KMI” sh.p.k. Drenas me bashkëpronarë Arion Lleshin dhe Shpend Aganin, i tejkaluan kompetencat si dhe nuk i përmbushën detyrat zyrtare të tyre.

Këto veprime të të akuzuarve kompanisë “KMI” i kanë sjellë dobi materiale në shumë prej 400.000 euro. Në vlerë të njëjtë ata i kanë shkaktuar dëm buxhetit të Kosovës.Për këtë prokuroria i akuzon se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare.

Pika e dytë e aktakuzës e akuzon Zenel Kuqin se në cilësinë e menaxherit të prokurimit në Ministrinë e Shëndetësisë gjatë periudhës ndërmjet 23.05.2011 dhe 31.12.2011 i tejkaloi kompetencat e tij me qëllim të përfitimit të dobisë materiale nga kompania “ACG dhe “Standart”, për aktivitetin e prokurimit  “Renovimi gjeneral i aneksit të emergjencës ekzistuese në QKUK”, kompania “Alb Architect” në aktivitetin e prokurimit “Renovimi gjeneral dhe adaptimi i katit përdhes në Klinikën Interne, në repartin e ri për dializë në QKUK”, dhe kompania “Life Farm” për aktivitetin e prokurimit “Furnizim me infuzione”, duke i shkaktuar dëm buxhetit të Kosovës në vlerën totale 276.307.97 eurove.

Me këtë në vazhdimësi sipas prokurorisë Kuqi ka kryer veprën penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar.

Pika e tretë e akuzon Valentina Haxhijajn, Remzije Thaçin dhe Florije Tahirin se gjatë periudhës kohore 23.05.2011 deri 31.12.2011, Valentina Haxhijaj në cilësinë e kryetares  së Komisionit për Mbikëqyrjen e Ekzekutimit të Kontratës me Kompaninë “KMI”, sh.p.k. si dhe Remzije Thaqi e Florije Tahiri në cilësinë e anëtares, në bashkëveprim duke e shfrytëzuar autoritetin zyrtar më qëllim që të përfitojë dobi materiale kompania “KMI”, i kanë tejkaluar kompetencat dhe nuk i kanë përmbushur detyrat zyrtare duke i sjellë kompanisë dobi materiale në shumën rreth 400.000 eurove.

Me këtë në vazhdimësi Valentina Haxhijaj, Remzije Thaçi e Florije Tahiri kanë kryer veprën penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare.

Pas seancës gjyqësore Naser Sopjani, avokati i Valentina Haxhijajt tha për KALLXO.com se në bazë të praktikës që ka krijuar gjykata nuk pret se do të aprovohet kërkesat e avokatëve mbrojtës.

“Fatkeqësisht në bazë të praktikës presim që gjykata t’i refuzojë kërkesat tona, sepse e ka bërë praktikë këtë gjë dhe besoj që të shkojmë në shqyrtim gjyqësor,” tha avokati. [interaction id=”56d202f336e5105a3a0a8ecf”]