Skender Hyseni gjatë diskutimit në Lëvizjen "Fol" | Foto: KALLXO.com
Hyseni: Demarkacioni Duhet të Ratifikohet
Në një diskutim të hapur të organizuar nga Lëvizja “Fol”, ministri Skender Hyseni deklaroi se marrëveshja e demarkacionit me Malin e Zi e nënshkruar më 26 gusht 2015 në Vjenë, duhet të ratifikohet .
“Nëse më pyesni mua se a duhet të ratifikohet marrëveshja, unë iu them troç, po, pa asnjë hezitim”, tha Hyseni.
Ministri Hyseni tha se nuk duhet ta lëmë në geto popullin e Kosovës në rrafshin e udhëtimit pa viza.
“Kjo situatë duhet të zhbllokohet dhe deputetët e Kuvendit të Kosovës duhet të japin përgjigje. Përgjegjësia në rend të parë bie mbi deputetët e pozitës, por nuk janë jashtë edhe deputetët e opozitës, sepse edhe ata kanë obligime ndaj qytetarëve” shtoi Hyseni.
Ai tha se përgjigja e demarkacionit duhet të jepet, ose pro, ose kundër që të hapet rrugë e zgjidhjes.
“Stagnimi shkakton lloj-lloj frustrimesh”, potencoi Hyseni.
Njëri nga kushtet për lëvizje pa viza të kosovarëve në Zonën Shengen është ratifikimi i marrëveshjes së demarkacionit
Skender Hyseni në këtë diskutim të hapur tha se me plot përgjegjësi nëse veç një metër katrorë tokë e Kosovës do të humbet pavarësisht që formalisht e ka nënshkruar ai, do të ishte kundër.
Ministri Hyseni shtoi se ka shumë miq në Dukagjin dhe se shumë prej tyre i ka lutur që të sjellin prova nëse prona e dikujt ka mbetur kah Mali i Zi.
“I kam lutur disa prej tyre, bjermani veç një tapi, një letër që dikujt i ka mbetur prona andej. Ju garantoj se i pari do të dilsha kundër”, shtoi Hyseni.
Banorët e brezit kufitar me Malin e Zi vazhdimisht kanë deklaruar që deputetët nuk duhet ta ratifikojnë vijën kufitare të përcaktuar me Malin e Zi me marrëveshjen e vitit 2015.
http://kallxo.com/ali-lajci-te-mos-ratifikohet-demarkacioni/
Marrëveshja e demarkacionit u tërhoq pa u votuar nga seanca e Kuvendit të Kosovës në shtatorin e vitit 2016.
http://kallxo.com/qeveria-terheq-demarkacionin-nga-rendi-dites/
Redaktoi: Bekim Muhaxheri