Mytaher Haskuka (LVV). Foto: Kallxo.com

Haskuka bën fajtor shtetin për rastin e 16-vjeçares nga Drenasi

Lidhur me rastin e pretenduar të abuzimit seksual të një të miture nga Drenasi ka reaguar edhe kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka.

Në një postim të tij, Haskuka përshkruan jetën e vajzës që pretendohet se u abuzua seksualisht fillimisht nga mësimdhënësi i saj e më pas nga një zyrtar policor, për të përfunduar me abortim në një klinikë të kryeqytetit.

Mytaher Haskuka thotë se vajza kishte lindur 4 vite mbas luftës dhe ajo nuk kishte parë represionin e policisë serbe, prandaj kishte besim te Policia e Kosovës.

Sipas Haskukës, ajo ishte 5 vjeçare kur Kosova shpalli pavarësinë, e 10 vjeçare kur Kuvendi i Kosovës kaloi Ligjin për psikolog dhe pedagog në shkolla, por nuk ndau buxhet për të punësuar psikolog e pedagog.

Duke kritikuar institucionet e vendit, kryetari i Prizrenit thotë se në moshën 14 vjeçare vajza nuk kishte ku të raportonte, sipas tij, ngacmimin e dhunimin seksual, pasi që në shkollë nuk kishte psikolog.

“Por i besonte policisë, raportoi policisë.. . si 15 vjeqare përjetoi shantazh, ngacmim, dhunim nga një polic cili do të duhej ta mbronte”, thotë Haskuka.

Më tej, kryetari i Prizrenit thotë se në 10 vjetorin e pavarësisë së Kosovës, vajza e mitur pa dijeninë e prindërve dhe pa pajtimin e saj detyrohet të abortojë.

Në 10 vjetorin e shtetit, sipas Haskukës, i gjithë shteti dështon ta mbrojë një fëmijë nga dhunimi, siç i quan ai, “i zyrtarëve pedofil”.

“Për këtë gjendje nuk janë fajtor kriminelët, fajtor janë ata që bëjnë kompromise me kriminel… deputetë që votojnë, gazetarë që relativizojnë, analistë në rolin e anesteziologut, qytetarë që shesin vota…”, ka shkruar ai.