Hulumtimi i KALLXO.com, Prokuroria e Prizrenit ngrit aktakuzë ndaj ish-drejtorit të Haskukës
Hulumtimi i KALLXO.com për dyshimet për ‘gjakderdhjen’ financiare në Prizren’ ka rezultuar me aktakuzë për ish-drejtorin e Shërbimeve Publike në Komunën e Prizrenit, Levent Kasami.
Prokuroria e Prizrenit sot ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë ndaj Kasamit i cili dyshohet se deri sa ushtronte pozitën e drejtorit të Shërbimeve Publike në Prizren ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, në periudhën kohore nga data 14.12.2018 e deri më 12.02.2020, Kasami duke punuar si drejtor i Drejtorisë për Shërbime Publike, me dashje nuk i përmbush detyrat zyrtare e me qëllim që t’i mundësojë dobi pasurore personit tjetër, në rastin konkret dy operatorëve ekonomik.
Tutje prokurorisë, Kasami, me rastin e hartimit të paramasave të pozicioneve – artikujve, ka ndërhyrë, dhe ka ndryshuar paramasat, të cilat ia ka dërguar zyrtari për energjetikë në Drejtorinë e Shërbimeve Publike – dëshmitari S.T.,
“Në cilësinë e menaxherit të kontratës ndërmjet Komunës së Prizrenit dhe dy operatorëve ekonomik lidhur me zbatimin e tenderit ‘’Ndërtimi i mini parqeve, furnizimi dhe vendosja në hapësira publike të ulëseve, koshave të mbeturinave dhe ndriçim publik’’ në Komunën e Prizrenit, në vlerë prej 289.124.00 euro, ka lëshuar urdhëresa për realizimin e punimeve sipas pozicioneve ku çmimet kanë qenë më të larta, duke tejkaluar edhe porositë për këto pozicione mbi 30% të kontratës”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.
Tutje në njoftim, thuhet se mosveprimi i Kasamit, Komunës së Prizrenit i ka shkaktuar dëm 103,148.34 euro
“Ndërsa në anën tjetër për pozicionet më të ulëta nuk ka kërkuar që këto pozicione të realizohen dhe në këtë mënyrë gjatë realizimit të kontratës i shkakton dëm autoritetit kontraktues – Komunës së Prizrenit në vlerë prej 103,148.34 euro e të cilat fakte janë vërtetuar përmes ekspertizës së prokurimit pubik të datës 21.06.2021”, thuhet në njoftim.
Në qershor të vitit 2020, KALLXO.com kishte publikuar hulumtimin për Dyshimet për ‘gjakderdhjen’ financiare në Prizren. Komuna e Prizrenit në atë kohë drejtohet nga ish-kryetari Mytaher Haskuka i Lëvizjes Vetëvendosje.
KALLXO.com kishte gjetur në kontratën në fjalë janë kontraktuar ulëse afërsisht të ngjashme, por me çmime që kanë deri në 1,000% dallim. Njëra ulëse 995 euro, e tjetra veç 11 euro. Lojë e njëjtë me çmime ishte aplikuar edhe me shtylla elektrike.
Duke analizuar kontratën dhe produktet e porositura, del se janë vendosur 183 ulëse nga 340 sa i kishte planifikuar. Janë vendosur 157 ulëse më pak, por komuna e Prizrenit i ka paguar 107 mijë euro, apo 19 mijë euro më shumë së vlera e planifikuar për të blerë 340 ulëse. Pra, kemi më pak ulëse e 20 mijë euro më shumë të shpenzuara.
Hulumtimi kishte zbuluar se e njëjta ka ndodhur edhe me shtylla elektrike. Janë planifikuar të vendosen 230 shtylla nëpër qytet me një kosto prej 100 mijë e 320 euro. Ne kemi gjetur se deri më tani janë vendosur vetëm 143 shtylla e janë shpenzuar 128 mijë euro. Pra, janë vendosur 87 shtylla elektrike më pak se planifikimi, ndërsa janë shpenzuar 27 mijë euro më shumë.