Gazetarja Saranda Ramaj fiton edhe një betejë gjyqësore pas akuzave për shpifje

Gazetarja Saranda Ramaj ka fituar sot një betejë gjyqësore pas padisë për shpifje të ushtruar kundër saj nga avokati Gazmend Halilaj.

Avokati Halilaj e ka paditur gazetaren me pretendimin se raportimet e saj se edhe ai ishte duke u hetuar për rastin e njohur të abuzimit seksual të një miture nga Drenasi, rast për të cilin ai vetë kishte deponuar kallëzim penal pranë prokurorisë, ishte i rremë.

Padinë ai e kishte ushtruar në shkurt të vitit 2019.

Përmes padisë, Halilaj po kërkon 250 mijë euro dëmshpërblim.

Për më tepër, avokati kishte bërë edhe kërkesë për masë të sigurisë, siç kishte konsideruar, për të ndalur dëmtimet e mëtutjeshme të reputacionit nga shpifjet, duke kërkuar t’u ndalohet paditëses dhe mediave ku punon publikimi i çfarëdo lajmi, deklarate, prononcimi, njoftimi ose informacioni në lidhje me të dhe familjen e tij, deri në sjelljen e aktgjykimit nga Gjykata.

E seanca për vendosje lidhur me masën e sigurisë është mbajtur sot, por nga ana e propozuesit të masës së sigurisë nuk është paraqitur askush.

Ndryshe nga mungesa e përfaqësuesit për Halilajn, për gazetaren Saranda Ramaj dhe grupin KOHA është paraqitur përfaqësuesja Albina Vuçetaj.

Meqenëse në këtë seancë nuk ka prezentuar propozuesi i masës së sigurisë, ndërkaq Gjykata ka vërtetuar se i njëjti ka pranuar ftesën për Gjykatë, gjyqtarja nga Departamenti i Përgjithshëm, Divizioni Civil, Greta Ibraj, ka marrë aktvendim me ç’rast e ka konsideruar të tërhequr këtë propozim nga ana e Gazmend Halilajt.

E kontaktuar nga KALLXO.com, gazetarja Saranda Ramaj ka treguar versionin e saj se pse e ka pranuar këtë padi.

“Padia ka pasë të bëjë me një raportim tonin për disa dyshime që edhe avokati Halilaj, i cili në publik është njohur si denoncues i rastit, por në të vërtetë ka marrë pjesë në keqpërdorimin e të miturës në rastin e njohur në Drenas. Atëherë nuk ka qenë publike, nuk ka qenë i arrestar por ne kemi pasur informata nga institucionet e drejtësisë” – është shprehur Ramaj.

Ajo ka treguar se përveç se është paditur në procedurë civile ndaj saj dhe grupit KOHA ka pasur edhe kallëzim penal, por që ky kallëzim është hedhur poshtë prej Prokurorisë Speciale.

Ajo ka dëshirë që rasti të gjykohet deri në fund dhe jo të tërhiqet ashtu siç është një prej mundësive të parapara me ligj.

“Gazmend Halilaj ka aktgjykim dënues të shkallës së parë për ato që unë kam raportuar, ndaj do të kisha dashur me u vendosë (çështja) në gjykim meritor dhe jo me u tërheqë për shkak të mospjesëmarrjes” – ka thënë Ramaj.

Avokati në fjalë është kontaktuar nga KALLXO.com, dhe ka thënë se do ta zgjerojë padinë.

“E kemi paditë për shpifje. Dhe ende po vazhdon të shpifë. Do ta zgjeroj padinë. Do ta zgjeroj dhe do ta rrisë vlerën diku deri në 1 milion” – ka thënë përmes telefonit Halilaj.

Ai ka thënë se rasti i të miturës në Drenas është i vetmi që e bën të jetojë me kokën lart.

“Dhe është i vetmi rast që më bënë të jetoj me kokën lart. Pavarësisht çka shkruajnë mbeturinat. Sepse e kam shpëtuar një jetë. Kush shpëtoi pas rastit tim?” – ka përfunduar ai.