Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Shpjegimi i Shpejtim Bulliqit pse LVV i humbi Prishtinën dhe Prizrenin
Kryetari i rizgjedhur i Podujevës, Shpejtim Bulliqi, në emisionin “Kallxo Përnime” ka komentuar humbjen e Arben Vitisë në Prishtinë dhe humbjen e Mytaher Haskukës në Prizren.
“Unë mendoj që rundi i dytë ka pak pazare politike, dhe ne e kemi ditur shumë mirë se cili është konstilacioni i forcave politike. Prizreni është me specifik për shkak të numrit të madh të komuniteteve që ka, kanë qenë me Mytën, por situata politike mund të ketë ndërruar vite më vite brenda”, tha ai.
Sipas Bulliqit, pazari politik i partive të vjetra ka sjellë këtë rezultat në Prishtinë dhe në Prizren, i cili është udhëhequr nga Mytaher Haskuka i LVV-së.
“Pazari mes Prizrenit dhe Prishtinës mund të jetë kombinuar jashtëzakonisht mirë mes subjekteve të vjetra politike. Është e vështirë ta them se sa ka punuar Haskuka sepse nuk e njoh, nuk e kam përcjellë, unë them që ky rund Prizrenin dhe Prishtinën unë mendoj që është komplet rund i cili ka bërë koordinime mes subjekteve të caktuara politikë dhe e ka nxjerrë këtë rezultat çfarë është”, tha ai.
Rundi i dytë i zgjedhjeve në Kosovë është mbajtur dje.
Sipas rezultateve preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Prishtinë ka fituar kandidati i LDK-së, Përparim Rama, ndërsa në Prizren, Mytaher Haskuka ka humbur garën ndaj kandidatit të PDK-së, Shaqir Totaj.