Ish deputetët e LVV-së dënohen me burgim me kusht për gazin lotsjellës
Gjykata e Prishtinës ka dënuar deputetët Enver Hoti, Shqipe Pantina, Mytaher Haskuka dhe Teuta Haxhiu me dënim me burgim me kusht.
Sipas gjykatës ata u dënuan secili veç e veç me burg për një vit i cili dënim nuk ekzekutohet nëse brenda dy viteve ata nuk kryejnë vepra të tjera penale.
Ky dënim iu shqiptua për hedhjen e gazit lotsjellës në muajin shkurt të vitit 2016 në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës.
Hoti, Pantina, Haskuka dhe Haxhiu u akuzuan nga prokuroria për veprën penale – përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm dhe pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare.
Ndërkaq, për shkak të parashkrimit absolut është hedhur poshtë dhe është pushuar procedura për veprën pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare.
I përfshirë në këtë rast është edhe ish-deputeti Rexhep Selimi, mirëpo për të Gjykata e ka veçuar procedurën.
Sipas prokurorisë Hoti, Pantina, Haskuka, Haxhiu dhe Selimi akuzohen se më 19 shkurt 2016, gjatë seancës plenare të Kuvendit të Republikës së Kosovës, pa autorizim kanë përdorur armë me qëllim të ndërprerjes se punimeve të seancës, kanë hedhur gazin lotsjellës.
Prokuroria thotë se gjatë seancës, në vendet ku ishin të ulur, kanë aktivizuar gazin lotsjellës dhe nga tymi i përhapur është pamundësuar mbajtja e rregullt e seancës, me ç‘rast është ndërprerë puna e Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Sipas dispozitivit të dytë të kësaj akuze, në kohë, vend dhe mënyrë si në dispozitivin e parë të kësaj aktakuze, të akuzuarit Hoti, Pantina, Haskuka, Haxhiu dhe Selimi po akuzohen se kanë penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare – deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës në atë mënyrë që posa ka filluar seanca e Kuvendit, pas aktivizimit të gazit lotsjellës është ndërprerë seanca plenare.