Kryeministri Ramush Haradinaj - Foto: KALLXO.com

Haradinaj- Veteranëve: Kujtojmë Lavdinë, Ndërtojmë Paqen

Në Ditën e Veteranëve, Kryeministri Ramush Haradinaj u është drejtuar me fjalë për të kaluarën dhe të tashmen ish-bashkëluftëtarëve.

“Kaluam së bashku ditë të paharruara, me vështirësi e flijime, të pikëlluar kur humbnim shokët, të lumtur kur korrnim fitore. Ato janë ditët e lavdisë, që i kujtojmë gjithmonë, e në atë frymë, po ndërtojmë edhe paqen”, tha Haradinaj në deklaratën për këtë ditë.

Haradinaj tha më tutje se sot “përkujtojmë luftëtarët shqiptarë të të gjitha kohërave.  Kujtojmë shokët e rënë, lavdinë dhe fitoren e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.

Ai kërkoi bashkim për fuqizim të shtetit.

“Tani, kur jemi në 20 vjetorin e rezistencës dhe dhjetëvjetorin e pavarësisë, duhet të jemi më të bashkuar se kurrë si popull që të kontribuojmë në qytetarinë aktive për ndërtimin dhe fuqizimin e shtetit tonë”, tha Haradinaj.