Ramush Haradinaj, kryeministër i Kosovës. Foto: kallxo.com

Haradinaj për votën në PE: Frustruese që regjimi i vizave ende vlen për kosovarët

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka përshëndetur votimin e Parlamentit Evropian që u bë sot gjatë ditës për vazhduar mandatin për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

“Nën lidershipin e eurodeputetes Tanja Fajon – në Parlamentin Europian me 331 vota për, u konfirmua për të dytën herë mandati për fillimin e trialogut për liberalizimin e vizave për Kosovën. Një vullnet kaq i fuqishëm politik, që buroi sot nga Parlamenti Europian në Strasburg, rikonfirmon për të disatën herë se institucionet e Kosovës i kanë përmbushur të gjitha kushtet e parashtruara, siç e ka konfirmuar edhe Komisioni Europian në Bruksel vitin e kaluar”, shkroi Haradinaj në rrjetin social “Facebook”.

Shefit i ekzekutivit kosovar nuk ka lënë pa kritikuar mos liberalizimin e vizave deri më tani. Ai tha se qytetarëve po u bëhet një e pa drejtë dhe po u mohohet lëvizja e lirë në Evropë.

“Është tërësisht e padrejtë, frustruese, dhe dekurajuese që qytetarëve të Kosovës vazhdon t’u mohohet e drejta e fituar për lëvizje të lirë në Europë”, u shpreh Kryeministri.

Tutje, Haradinaj u bëri thirrje kryeqyteteve të shteteve anëtare të BE-së që t’i japin një epilog liberalizimit të vizave për Kosovën.

“Në emër të institucioneve dhe qytetarëve të Kosovës, u bëjmë thirrje kryeqyteteve të shteteve anëtare të Bashkimit Europian, që t’i japin drejtim dhe epilog çështjes së liberalizimit të vizave për Kosovën, si e drejtë e fituar dhe e pakontestueshme, tani kur bëhen shtatë vjet nga data kur na është dorëzuar udhërrëfyesi për vizat”, u shpreh ai.

https://kallxo.com/parlamenti-evropian-konfirmon-mandatin-per-liberalizimin-e-vizave-per-kosoven/