Foto: Kallxo.com

Haradinaj i përgjigjet Rukiqit për 'hezitimin' e Francës për mbështetjen e liberalizimit të vizave

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj derisa ishte pjesë e hapjes së shkollës së futbollit, organizuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit tha se “këta që po shesin mend si ai i Odës Ekonomike, le të merret me bizneset… ai nuk e din temën më mirë se dikush prej nesh”.

“Le t’i kqyrë ai punët e bizneseve qysh janë, ma mirë i bjen, ja unë po shkoj e po e boj punën e tij. Ne po punojmë me ndodhë (liberalizimi i vizave). Ne jemi në punë për me marrë vendimin këtë vit, duhet të punojmë të gjithë, nuk është lehtë. Këta që po shesin mend si ai i Odës Ekonomike le të merret me bizneset, le të vjen dhe të kërkoj çka mundem me bo me e zhvillu sektorin privat. Besoj se po hyjnë në tema që nuk e kuptojnë ku janë, pra ai nuk e din temën ma mirë se dikush prej nesh”, deklaroi Haradinaj.

Kjo përgjigje iu referuar deklaratës së kryetarit të Odës Ekonomike të Kosovës i cili para pak ditësh në një konferencë për shtyp, duke folur për grabitjet e bankave dhe bizneseve muajt e fundit. Kryetari i OEK-ut, Berat Rukiqi kishte nënvizuar rastin e grabitjes së bankës TEB e cila posedon kapital francez duke thënë se kjo ndikon edhe më shumë në hezitimin e Francës për të mbështetur liberalizimin e vizave për Kosovën.

“Banka TEB ka kapital francez e normalisht që shteti francez ka arsye për me u shqetësu. Kjo ndërlidhet edhe me procese të tjera kur e dimë që Franca është njëri prej shteteve që është duke hezituar për liberalizimin e vizave për Kosovën dhe jo veç duke hezituar por është edhe kundërshtare”, kishte theksuar Rukiqi.

Sipas Rukiqit, Kosova nuk ka imazh të mirë, nëse vazhdon ky trend mund të rrezikoj edhe në tërheqjen e investimeve që aktualisht janë në Kosovë por edhe në tërheqjen e investimeve të reja.

 

 

https://kallxo.com/oek-per-nje-muaj-7-grabitje-te-bankave-ne-kosove/