Vazhdon Gjykimi për Vrasjen në “Kështjellë”

Shqyrtimi vazhdoi me marrjen në pyetje të dëshmitarit Riza Berisha, i cili punonte si kamerier në restorantin “Kështjella”, ku ka ndodhur vrasja. Ai ka përshkruar ngjarje në ditën kritike.

Dëshmitarit iu ofrua skica e vendit të ngjarjes, në bazë të së cilës ai identifikoi tavolinat ku ishin të ulur mysafirët e lokalit ditën kritike. Ai është pyetur për një person, i cili dyshohej se ishte informator në ditën kritike. “I kam shërbyer një birrë; pas 15 minutave i kam shërbyer edhe një picë. Disa herë ka shkuar në tualet dhe është kthyer sërish në tavolinë… Ka pasur problem me dërgimin e një mesazhi telefonik, ka kërkuar ndihmë nga unë, mirëpo edhe unë nuk kam arritur që ta dërgoj sms- in, në të cilin shkruhej: ‘A po shkojmë në muzikë sonte’”, tha dëshmitari.

Në pyetjen e prokurores, ai u përgjigj, se edhe po ta shihte nuk do ta njihte këtë person.

Më tutje, Berisha ka treguar se kanë ardhur 3-4 persona, të cilët kishin pasur shkopinj druri në duar, kurse njëri nga ta ka pasur një automatik kallashnikov. “Këta persona fillimisht me shufra dhe drunj e kanë sulmuar Skenderin, i cili së bashku me fëmijët e tij dhe të Azemit, ka qenë duke shikuar TV. Më kujtohet reagimi i tij i fundit kur e ka ngritur dorën për t’u mbrojtur, dhe më nuk kam parë asgjë, sepse kam ikur drejt kuzhinës…Aty kam qëndruar 10 minuta dhe pastaj sërish kam dalë në sallë të restorantit… Aty i kam parë Azemin dhe Skenderin të shtrirë për tokë dhe të përgjakur, së bashku me Ragip Limajn. E kemi marrë Skenderin, e kemi futë në makinë dhe kemi dërguar në spital”, ka rrëfyer ky dëshmitar.

Në seancën e të mërkurës u dëgjuan edhe dëshmitarët Avni Krasniqi dhe Rexhep Morina.

Policia Avni Krasniqi ka treguar se komandanti i policisë në Malishevë i ka kërkuar që t’i thërras për intervistë Durim dhe Berat Krasniqin, pasi që e ka afër shtëpinë me të akuzuarit.

“Kam shkuar në odën e Gani Krasniqit, mirëpo djemtë nuk kanë qenë aty. Më vonë kur janë kthyer, vetë më kanë thirrë dhe vullnetarisht kanë dhënë intervistë. Më kujtohet se para që të shkoj në stacion, të dy e kanë pranuar se e kanë kryer veprën penale. Për më tutje nuk e di, sepse nuk kam qenë gjatë marrjes së hetimeve”.

Ndërsa dëshmitari Morina nuk pati çka të dëshmojë tjetër, përveç faktit, se ditën kritike dy nga të akuzuarit kishin pirë në lokalin e tij të quajtur “Oda” në Malishevë.

Qysh në fillim të seancës, avokati Durmish Koqinaj, kërkoi procesverbalet e seancave të kaluara, mirëpo kryetarja e trupit gjykues Anne Maria Meister, i njoftoi mbrojtësit që seancat gjyqësore nuk janë përkthyer ende në gjuhën shqipe.

Në mes të gjykimit, avokati Haxhi Millaku, pasi që mori në pyetje dëshmitarin, doli nga salla e gjykimit. Pas 10 minutash, prokurorja reagoi te trupi gjykues që seanca gjyqësore të ndërpritet, për faktin se njëri nga të akuzuarit nuk ka mbrojtës. Mirëpo në ndërkohë u paraqit avokati Rasim Hoti, i cili e zëvendësoi avokatin Millaku. E në fakt, edhe avokati Millaku ishte duke e zëvendësuar avokatin Fazli Balaj.

Në këtë seancë, po ashtu zëvendësime të avokatëve, pati dy-tre herë, mes avokates Myrvete Çollaku dhe avokatit Brahim Sopa.

Seanca e radhës do të vazhdojë të enjten, kur do të dëgjohet dëshmitari Haxhi Hazrolli.
Kryetarja e trupit gjykues paralajmëroi palët se do të kenë nevojë edhe për disa ditë në muajin maj dhe qershor.

Aktakuza:

Prokuroria Speciale e Kosovës ngarkon Emin, Durim, Berat, Astrit dhe Hazir Krasniqin se më 1 janar 2011 në fshatin Banjë të Malishevës, pas disa mosmarrëveshjeve paraprake me familjen Limaj, duket për shkak të përkatësive të ndryshme politike, në bashkëkryerje kishin kryer veprën penale të vrasjes së rëndë dhe shkaktimit të lëndimeve të rënda trupore. Sipas aktakuzës dyshohet se Emin dhe Durim Krasniqi, kishin shkuar në restorantin “Kështjella”, ku Skender Limaj po shikonte TV-në me të afërmit, me ç’rast Emini me shufër e godet disa herë në kokë e trup tani të ndjerin Skender Limaj, derisa Durimi shtie me armë zjarri dhe e qëllon atë për vdekje. Të dy Krasniqët akuzohen për bashkëkryerje të vrasjes së rëndë.

Ndërsa Berat Krasniqi sipas aktakuzës ngarkohet për veprën penale të lëndimit të rëndë trupor, për gjuajtje me armë zjarri në drejtim të Ilir Limajt, i cili ishte plagosur në këmbë.

E, Astrit dhe Hazir Krasniqi, akuzohen se kanë ndihmuar të pandehurit tjerë, duke i dërguar me veturë në vendin e ngjarjes, duke bërë roje dhe udhëzuar përmes telefonave.

Më herët, trupi gjykues pat marrë vendim që lënda ndaj dy të akuzuarve të tjerë, Andi dhe Mehdi Krasniqi, të veçohet  pasi që armët e tyre ishin gjetur shumë kohë pas ndodhisë.