Gjykimi për keqpërdorim të detyrës ndaj ish-drejtorit në Prizren, eksperti i prokurimit deklaron se u përdor çmimi më i lartë në kontratë

Eksperti i prokurimit, Visar Bibaj, ka dëshmuar në rastin në të cilin ish-drejtori i Shërbimeve Publike në Prizren, Osman Krasniqi, akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare në lidhje me tenderin e shuarjes së zjarrit në deponinë e mbeturinave në Zhur.

Në këtë rast Krasniqi nga Prokuroria po akuzohet se ka keqpërdorur detyrën e tij në kuadër të tenderit “Furnizimi me zhavorr për rrugët e paasfaltuara të Komunës së Prizrenit”, kontratë kjo e lidhur mes Komunës së Prizrenit dhe operatorit ekonomik “EUROVIA-BI”.

Tenderi i lartcekur ka qenë i destinuar që ta shuajë zjarrin përmes transportimit të dheut në deponinë e fshatit Zhur.

Eksperti i prokurimit, Visar Bibaj ka deklaruar se pagesa totale për këtë operacion emergjent në bazë të raporteve dhe ditarit të punës ka qenë 247,360,40 euro dhe është kryer nga data 8 prill 2021 deri më 5 maj 2021.

Eksperti Bibaj theksoi se nuk ka pasur njohuri të plotë për datën e fillimit të zjarrit në deponinë Zhur. Megjithatë, sipas tij, raportet dhe dokumentet e shqyrtuara tregojnë se situata emergjente ka zgjatur për një muaj, filluar nga fundi i marsit deri në fund të prillit.

“Sipas shkresave të lëndës, përkatësisht ditarëve të punës të nxjerra nga operatori ekonomik i kontraktuar, ekzistojnë tri situacione dhe faturime të evidentuara nga organi mbikqyrës i kontratës në emër të punëve të realizuar në deponinë e fshatit Zhur. Pjesa e parë është realizuar nga data 8-13 prill 2021. Prej datës 8 prill deri më datë 5 maj 2021 në emër të punimeve të realizuara dhe atë: ‘bartja e dheut në deponinë e fshatit Zhur të Komunës së Prizrenit’ është realizuar vlera prej 247,360,40 euro me qëllim shuarjen e zjarrit në të njëjtën deponi që po flasim” – theksoi eksperti i prokurimit.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të prokurorit, Mehdi Sefa, eksperti ka konfirmuar se pagesa është realizuar për bartjen e dheut në deponinë Zhur, dhe jo për transportimin e zhavorrit.

Kontrata bazë për furnizimin me zhavorr sipas ekspertit Bibaj nuk ka parashikuar transportin e dheut në metër kub në deponinë Zhurit, dhe sasia e përcaktuar ishte një metër kub.

Eksperti, në vijim, ka konfirmuar se çmimi për metër kub ka qenë 8.02 euro. Megjithatë, ai ka shtuar se përdorimi i këtij çmimi ka qenë i bazuar në pozicionin me çmimin më të lartë, ndërsa ai beson se ka ekzistuar mundësia për përdorimin e pozicioneve të tjera me çmime më të ulëta.

“Është përdorë pozicioni i cili ka pasur çmimin më të lartë në vlerë për 8.02 euro për metër kub, përderisa unë besoj se ka mundur të përdoren edhe pozicionet e tjera për qëllimin e njëjtë të cilat dukshëm kanë çmime më të ulta për metër kub të madhësisë së zallit të cilat kanë qenë me çmim prej 0.24 euro” – deklaroi eksperti Visar Bibaj.

Eksperti ka përfshirë edhe faktin se çmimi i kontratës ka qenë i njëjtë për të gjitha llojet e fraksioneve të zhavorrit dhe nuk është përdorur për transportin e dheut në deponinë Zhur. Ndërkaq, kontrata sipas tij nuk ka parashikuar specifikisht çmimin e metër kub të sasisë së dheut të transportuar për shuarjen e zjarrit në deponinë Zhur.

Sipas deklaratave të ekspertit, menaxheri i projektit për këtë kontratë ka qenë Osman Krasniqi.

Emri i tij është precizuar pas një kërkese nga mbrojtësi Ruzhdi Berisha për të dhënë emrin e saktë të menaxherit të kontratës.

Eksperti ka shtuar se pagat dhe faturat janë aprovuar me lejen e menaxherit të kontratës dhe janë paguar në përputhje me procedurat dhe kushtet e kontratës.

Seanca e radhës u caktua për më 15 dhjetor 2023.

Rasti po drejtohet nga kryetarja e trupit gjykues, Raima Elezi me anëtarët Teuta Krusha dhe Vjollca Buzhala. Aktakuza përfaqësohet nga prokurori Mehdi Sefa.

Prokuroria në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj ish-drejtorit të Shërbimeve Publike, Osman Krasniqi, për lidhjen e një kontrate në kundërshtim me procedurat e prokurimit, në kohën kur Komuna e Prizrenit udhëhiqej nga Mytaher Haskuka.

Ndërkaq, në zgjedhjet për kryetar të Komunës së Prizrenit në vitin 2017, kishte kandiduar për kryetar të Komunës në kuadër të subjektit politik, AKR.

Sipas aktakuzës, Osman Krasniqi nga data 8 prill 2021 deri më 5 maj 2021, në cilësinë e drejtorit të shërbimeve publike ka tejkaluar detyrat e tij me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për personat e tjerë-operatorin ekonomik “EURO-VIA”.

Sipas aktakuzës në kuadër të autoritetit kontraktues, menaxher i kontratës “Furnizimi me zhavorr për rrugët e paasfaltuara të Komunës së Prizrenit”, Krasniqi ka vepruar në kundërshtim me Ligjin për prokurimin publik duke nxjerrë urdhra për operatorin e lartcekur.

Dosja më tej përshkruan se Osman Krasniqi ka mundësuar pagesat për operatorin ekonomik përkundër faktit se kontrata nuk ka parashikuar pozicionin e transportit dhe hedhjen e dheut në deponi.

“I akuzuari pranon faturat dhe mundëson pagesat nga pozicioni i pikës C shërbime me zhavorr në vlerën 8.02 euro për njësinë matëse m3, në kundërshtim me objektin dhe pozicionet e kontratës në të cilën ka qenë menaxher duke anashkaluar zyrën e prokurimit”-sqarohet në aktakuzë.

Prokuroria pretendon se me këto veprime i akuzuari e ka dëmtuar buxhetin e Komunës së Prizrenit në vlerë prej 247.360,40 euro.

Për këtë ai akuzohet se ka kryer veprën penale – keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar.

Raportimet e tjera të KALLXO.com mund t’i lexoni në këtë LINK.