Vendimi i Gjykatës së Prishtinës: 25 vjet burg për të akuzuarin për vrasjen e gruas së tij

Ragip Gashi, i akuzuar se ka vrarë bashkëshorten e tij dhe ka tentuar ta vrasë mikun e tij (vëllanë e gruas), është dënuar me 25 vjet burgim nga Gjykata e Prishtinës.

Sipas Prokurorisë, rasti kishte ndodhur më 26.12.2016, në Prishtinë, derisa tashmë e ndjera gjendej për vizitë te familja e saj. Gjithnjë sipas Prokurorisë, i akuzuari për motive të xhelozisë e qëllon me armë zjarri bashkëshorten e tij, duke e goditur me plumb në zemër.

“I akuzuari R.G. është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim unik në kohëzgjatje prej njëzet e pesë (25) vite burgim, pasi që ka privuar nga jeta tani të ndjerën – bashkëshorten e tij M.H., si dhe ka tentuar të privojë nga jeta të dëmtuarin – mikun e tij, XH.H. Të akuzuarit R.G. në dënimin e shqiptuar i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim”- thuhet në njoftimin e Gjykatës së Prishtinës.

Gjykimi për këtë rast u mor nga gjyqtarja Fatime Dermaku.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Ragip Gashi në dhjetor të vitit 2016 në mbrëmje ka vrarë bashkëshorten e tij.

Prokuroria pretendon se ky veprim i të akuzuarit ka ndodhur për motive të xhelozisë.

Prokuroria thotë se e ndjera ishte në vizitë te familjarët e saj kur i akuzuari e ka thirrur në telefon duke i treguar që të përgatitet që ta marrë  dhe pasi i njëjti e ka pritur në rrugë, me të dalë e ndjera në vendin ku priste i akuzuari, ky i fundit ia ka prerë rrugën duke shtënë dy herë në drejtim të saj.

Njëri nga plumbat e kishte goditur në zemër duke e privuar nga jeta.

Me këto veprime i akuzuari është ngarkuar nga Prokuroria me veprën penale – vrasje e rëndë.

Ndërsa pasi kishte shtënë në gruan e tij, sipas Prokurorisë, i akuzuari i ishte afruar mikut të tij (vëllait të viktimës), duke gjuajtur dy herë në të e duke e goditur.

Sipas Prokurorisë, i akuzuari me këto veprime ka kryer veprën penale vrasje e rëndë në tentativë.

I njëjti akuzohet edhe për armëmbajtje pa leje.