Gjykimi per keqperdorim dhe mashtrim ne prokurim publik

Deklarohen të pafajshëm të akuzuarit për keqpërdorim të detyrës rreth tenderit për asfaltimin e rrugëve në Mushtisht

Enver Shabani, Berat Kabashi, Bujar Seferi dhe personi juridik “Seferi-CO” SH.P.K. janë deklaruar të pafajshëm rreth akuzave për keqpërdorim të detyrës dhe mashtrim në prokurim publik në lidhje me një tender.

Ata po akuzohen nga Prokuroria e Prizrenit se kanë keqpërdorur pozitat e tyre në një tender në vlerë dhjetëra mijëra euro për shtrimin e disa rrugëve në fshatin Mushtisht të Suharekës gjatë vitit 2022.

Në shqyrtimin fillestar, të mërkurën, pas leximit të aktakuzës nga prokurori Petrit Kryeziu, të akuzuarit u vetëdeklaruan të pafajshëm para gjykatëses Raima Elezi.

Në të njëjtën kohë, avokati Blerim Mazreku, i cili përfaqësoi Berat Kabashin, ka kërkuar ndërprerjen e arrestit shtëpiak për klientin e tij, duke argumentuar se kushtet ligjore për këtë masë kanë pushuar.

Mazreku theksoi se me ngritjen e aktakuzës, të gjitha provat janë dorëzuar nga Prokuroria dhe nuk ka asnjë bazë ligjore për të mbajtur Kabashin në arrest shtëpiak. Ai gjithashtu ka përmendur se nuk ka rrezik që klienti i tij të arratiset ose të ndikojë në provat e rastit.

“Tani më aktakuza është ngritur, Prokuroria ka dorëzuar të gjitha provat dhe rrjedhimisht mbajtja nën masën e sigurisë të një të pandehuri nuk mund të mbështetet në asnjë dispozitë ligjore. Po ashtu për të mbrojturin tim nuk ka ndonjë rrezik që të ikë apo arratiset, ndërkaq rreziku se ai mund ta përsërisë veprën është në kundërshtimim me prezumimin e pafajësisë ngase për t’u përsëritur diçka duhet që fillimisht të vërtetohet me aktgjykim të formës së prerë” – tha mes tjerash avokati Mazreku.

Në anën tjetër, avokati Qazim Hasanaj, mbrojtës i të akuzuarit Enver Shabani, ka bërë një kërkesë të ngjashme për ndërprerjen e arrestit shtëpiak, duke shtuar se të gjitha provat e nevojshme janë tashmë në dispozicion dhe se nuk ka dyshime se Shabani mund të ndikojë në rastin duke qëndruar në liri.

“Me ngritjen e aktakuzës të gjitha provat janë siguruar tashmë nga ana e Prokurorisë dhe me lënien në liri të të mbrojturit tim nuk ekziston më dyshimi se mund të ndikojë në prova, dëshmitarë apo të arratiset pasi ai ka qenë bashkëpunues me organet kompetente dhe nuk ka dhënë asnjë indicie që do të arratiset” – shtoi avokati Hasanaj.

Për shkak të përfundimit të orarit të punës, seanca e sotme u ndërpre dhe ajo e radhës u caktua për më 29 dhjetor 2023.

Sipas aktakuzës, të pandehurit prej datës 18 maj 2022 deri në muajin prill 2023, në Suharekë, në bashkëkryerje, duke vepruar në cilësi të personave zyrtarë dhe atë Berat Kabashi në cilësinë e menaxherit të kontratës dhe Enver Shabani në cilësinë e mbikëqyrësit të drejtpërdrejtë të menaxherit të kontratës, duke shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin e tyre zyrtar nuk i përmbushin detyrat zyrtare të tyre me qëllim që të përfitojnë çfarëdo dobie për vete dhe për persona të tjerë.

Të njëjtit, sipas Prokurorisë, me dashje shkelin Ligjin për prokurimin publik dhe Rregulloren për prokurim publik, në atë mënyrë që me vendimin e datës 18 maj 2022, të lëshuar nga kryetari i Komunës së Suharekës, caktohen në menaxhimin e kontratës “ndërtimi i rrugëve: “Rexhepi Velia – me segment”, “Molika”, “Shaljanët – segment”, “Kovaçi”, “Tafa”, “Jetush Shala” dhe “Haxhi Shania” në fshatin Mushtisht”.

Nga provat e siguruara rezulton që të hollat në vlerë prej 72,214.74 euro i janë paguar operatorit ekonomik, mirëpo rrugët nuk janë shtruar siç parashihej në kontratë.

Në aktakuzë thuhet se përderisa në vitin 2022 përpilojnë dokumentacione fiktive dhe të rrejshme, ku i pandehuri Berat Kabashi, në bashkëkryerje me të pandehurin Enver Shabani, më 12 dhjetor 2022 përpilojnë dhe nënshkruajnë raportin e pranimit teknik duke konstatuar se kinse janë realizuar punimet sipas kontratës përderisa gjendja në terren ka qenë e parealizuar deri në kohën kur prokuroria së bashku me hetuesit kanë filluar ndërmarrjen e veprimeve hetimore.

Tutje sipas aktakuzës, të njëjtit të gjendur para një situate të tillë, në muajin prill të vitit 2023, në bashkëpunim me personin juridik – operatorin ekonomik me qëllim që t’i shmangen përgjegjësisë penale dalin në terren dhe shtrojnë rrugët e ridestinuara, të cilat rrugë nga ekspertiza e fushës së ndërtimtarisë rezultojnë me dëme materiale.

Sipas Prokurorisë, trashësia mesatare e asfaltit në segmentin “Manastiri”, “Hasan Basha” dhe “Guri i gjatë” rezulton të jetë 6.5 cm ndërsa me kontratë është 8.0 cm, pra trashësia mesatare është më e vogël për 1.5 cm, trashësia mesatare e asfaltit në rrugën “Bajram Kurti” është 7.53cm, ndërsa me kontratë është 8.0 cm, pra trashësia mesatare është më e vogël për 0.47 cm, trashësia mesatare e mbushjes me tampon në rrugën “Sadri Shasha” është 5.7 cm, ndërsa me kontratë është paraparë të jetë 10 cm, pra trashësia mesatare është më e vogël për 4.3 cm.

Me këto veprime i mundësojnë nga njëra anë operatorit ekonomik përfitim pasuror të kundërligjshëm dhe nga ana tjetër i shkaktojnë dëm material Komunës së Suharekës në vlerë 8,651.97 euro, pa llogaritur shkallën e dëmit në stabilitetin dhe jetëgjatësinë e rrugëve të punuara.

Me këto veprime në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale – keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar.

Në pikën e dytë të aktakuzës i pandehuri Bujar Seferaj (personi përgjegjës i personit juridik) dhe personi juridik – operatori ekonomik, prej datës 17 maj 2022 deri në muajin prill të vitit 2023, në Suharekë, duke vepruar në cilësi të pronarit dhe përfaqësuesit të autorizuar të personit juridik, me dashje shkel procedurat dhe rregullat e prokurimit publik dhe nuk zbaton detyrimet që dalin nga kontrata e prokurimit publik, me qëllim të përfitimit për vete duke i shkaktuar dëm buxhetor Komunës së Suharekës.

Tutje në akuzë thuhet se i njëjti më 17 maj 2022 nënshkruan kontratën me numër të prokurimit 624-22-1007-5-2-1/C797 sipas titullit të kontratës “ndërtimi i rrugëve: “Rexhepi Velia – me segment”, “Molika”, “Shaljant -segment”, “Kovaçi” “Tafa”, “Jetush Shala” dhe “Haxhi Shania”.. në fshatin Mushtisht Komuna e Suharekës, i njëjti në bashkëveprim me persona zyrtarë të Komunës së Suharekës, përkatësisht me menaxherin e kontratës Berat Kabashin, në vitin 2022 përpilojnë procesverbale, situacione fiktive si dhe raporte fiktive për kryerjen e punëve, përmes kompanisë së tij ku i pandehuri lëshon faturën nr. 15 të datës 22.07.2022 në vlerë prej 70,000.00 euro dhe faturën me nr.37 të datës 08.12.2022 në vlerë prej 2,213.17 euro per realizim të punëve.

Në akuzë me tej sqarohet se duke vazhduar bashkëpunimin me zyrtarët komunalë Berat Kabashi dhe Enver Shabani përpilojnë raportin e pranimit teknik kinse janë realizuar punimet sipas kontratës përderisa gjendja në terren ka qenë e parealizuar, me ç’rast i gjendur para një situate ku hetuesia po merrej me kontratën në fjalë, në muajin prill të vitit 2023, në bashkëpunim dhe dijeni të zyrtarëve komunalë, urdhërojnë punëtorët të dalin në terren dhe të shtrojnë rrugët e ridestinuara, të cilat nga ekspertiza e fushës së ndërtimtarisë rezultojnë me shkelje të shumta, ku trashësia mesatare e asfaltit në segmentin “Manastiri”, “Hasan Basha” dhe “Guri i gjatë” rezulton të jetë 6.5 cm ndërsa me kontratë është 8.0 cm, pra trashësia mesatare është më e vogël për 1.5 cm, trashësia mesatare e asfaltit në rrugën “Bajram Kurti” është 7.53cm, ndërsa me kontratë është 8.0 cm, pra trashësia mesatare është më e vogël për 0.47 cm, trashësia mesatare e mbushjes me tampon në rrugën “Sadri Shasha” është 5.7 cm, ndërsa me kontratë është paraparë të jetë 10 cm, pra trashësia mesatare është më e vogël për 4.3 cm.

Me këto veprime, sipas Prokurorisë, i pandehuri përfiton dobi pasurore të kundërligishme, duke i shkaktuar dëm material Komunës së Suharekës në vlerë prej 8,651.97 euro, pa llogaritur shkallën e dëmit në pjesët e tamponit të sipërfaqeve të shtruara me asfalt dhe dëmin në stabilitetin dhe jetëgjatësinë e rrugëve të punuara.

Me këto veprime ka kryer veprën penale – keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik.

Sipas pikës së tretë të aktakuzës, i pandehuri – personi juridik “SEFERI-CO” SH.P.K., prej datës 17.05.2022 deri në muajin prill të vitit 2023, në Suharekë dhe në fshatin Mushtisht, duke vepruar në kuadër të veprimtarisë së tij afariste, vepron në shkelje të ligjit me qëllim që për personin juridik të realizojë dobi pasurore.

Tutje thuhet se me dashje shkel procedurat dhe rregullat e prokurimit publik dhe nuk zbaton detyrimet që dalin nga kontrata e prokurimit publik me qëllim të përfitimit për vete duke i shkaktuar dëm buxhetor Komunës së Suharekës.

Sipas aktakuzës në atë mënyrë që më datë 17.5.2022 nënshkruan kontratën me numër të prokurimit 624-22-1007-5-2-1/C797 sipas titullit të kontratës “ndërtimi i rrugëve: “Rexhepi Velia -me segment, “Molika”, “Shaljanët -segment”, “Kovaçi”, “Tafa”, “Jetush Shala” dhe “Haxhi Shania”, në fshatin Mushtisht dhe përpilon procesverbale, situacione fiktive si dhe raporte fiktive për kryerjen e punëve, lëshon faturën nr.15 të datës 22.7.2022 në vlerë prej 70,000.00 euro dhe faturën me nr. 37 të datës 8.12.2022 në vlerë prej 2,213.17 euro për realizim të punëve, kinse janë realizuar punimet sipas kontratës përderisa gjendja në terren ka qenë e parealizuar.

Sipas organit të akuzës, në muajin prill të vitit 2023, në bashkëpunim dhe dijeni të zyrtarëve komunalë kryen punime në rrugët e ridestinuara, të cilat nga ekspertiza e fushës së ndërtimtarisë rezultojnë me shkelje të shumta, ku trashësia mesatare e asfaltit në segmentin “Manastiri”, “Hasan Basha” dhe “Guri i gjatë” rezulton të jetë 6.5 cm ndërsa me kontraë është 8.0 cm, pra trashësia mesatare është më e vogël për 1.5 cm, trashësia mesatare e asfaltit në rrugën “Bajram Kurti” është 7.53cm, ndërsa me kontratë është 8.0 cm, pra trashësia mesatare është më e vogël për 0.47 cm, trashësia mesatare e mbushjes me tampon në rrugën “Sadri Shasha” është 5.7 cm, ndërsa me kontratë është paraparë të jetë 10 cm, pra trashësia mesatare është më e vogël për 4.3 cm.

Me këto veprime, sipas aktakuzës, i pandehuri përfiton dobi pasurore të kundërligjshme, duke i shkaktuar dëm material Komunës së Suharekës në vlerë prej 8,651.97 euro, pa llogaritur shkallën e dëmit në pjesët e tamponit të sipërfaqeve të shtruara me asfalt dhe dëmin në stabilitetin dhe jetëgjatësinë e rrugëve të punuara.

Me këto veprime ka kryer veprën penale – keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik.