Dardan Krivaça në shpallje të akgjykimit 04.08.2023, FOTO: Aulona Alaj- KALLXO
Prokuroria e Ferizajt konfirmon se ishin zhvilluar hetime rreth pretendimeve të familjes së Marigona Osmanit për kanosje nga Dardan Krivaça
Për më shumë se 1 vit, Prokuroria e Ferizajt asnjëherë nuk konfirmoi nëse Dardan Krivaça nga burgu kërcënoi nënën e Marigona Osmanit.
Në gusht të këtij viti, Dardan Krivaça u dënua me burgim të përjetshëm si i akuzuar për vrasjen e 18-vjeçares Marigona Osmani, trupin e të cilës e kishte dërguar pa shenja jetë në Spitalin e Ferizajt, më 22 gusht të vitit 2021.
Ai fillimisht ishte arrestuar tri ditë pasi dyshohej se kishte kryer krimin e rëndë dhe ishte në arrati.
Gjatë gjithë kohës, që nga arrestimi e deri te dënimi me burg të përjetshëm, Dardan Krivaça qëndroi në burg.
Ndërsa babai i Marigona Osmanit, Muhabi Osmani, mbrëmë në emisionin “Kallxo Përnime” rrëfeu se gjatë vitit të kaluar kishte pranuar një mesazh kërcënues nga Krivaça përmes rrjeteve sociale.
Osmani tregoi se bashkëshortja e tij u kërcënua përmes mesazheve në telefon.
“Kërcënime ka pasur ndaj bashkëshortes, me anë të SMS-ve. Ka thënë që edhe këtë vajzën të madhën që e kemi edhe këtë (do t’ia bëj njësoj). E kemi raportu në Polici, tash janë duke u marrë ata me këtë rast”- deklaroi Osmani në “Kallxo Përnime”.
Që nga koha kur është raportuar ky kërcënim e deri më sot, asnjëherë nuk është konfirmuar nga organet e rendit dhe hetuesisë nëse ishte kërcënimi nga Krivaça që në atë kohë ishte në paraburgim.
Në një përgjigje për KALLXO.com, Prokuroria e Ferizajt ka konfirmuar se rasti është hetuar por se nuk është zbuluar se kush qëndroi pas këtij mesazhi kërcënues.
Prokuroria thotë se më 22 korrik të vitit 2022 nëna e Marigona Osmanit kishte paraqitur kërcënimin në Polici. Kërcënimi kishte ardhur përmes rrjetit social “Facebook”, nga një profil në emër të Dardan Krivaçës.
Prokuroria e Ferizajt kishte pranuar kallëzim penal për veprën penale të kërcënimit dhe kishte lëshuar urdhëresë për të hetuar dhe identifikuar mesazhin nga ishte dërguar.
Për këtë çështje ishte angazhuar sektori i hetimeve të krimeve kibernetike. Veprimet që kishte kërkuar Prokuroria nga Policia ishin pasi që rasti konsiderohej vepër penale dhe se nëna e Marigona Osmanit ishte ndjerë e kërcënuar dhe e frikësuar, e për shkak të situatës ishte ndjerë edhe e pasigurt.
Por ani pse u tentua që në këtë drejtim të zbardhet diçka, deri më sot asnjëherë nuk u zbulua nga erdhi mesazhi kërcënues te nëna e Marigona Osmanit.
Kjo pasi që në një përgjigje që kishte marrë Policia e Kosovës nga kompania “Facebook” thuhej se llogaria ishte mbyllur menjëherë.
“Të njëjtit nuk kanë ofruar ndonjë informacion shtesë se nga kush është përdorur llogaria në emër të D.K (Dardan Krivaçës)”- thuhet në përgjigjen e Prokurorisë së Ferizajt për KALLXO.com.
Ani pse kjo çështje nuk kishte marrë epilog në hetime, prindërit e Marigona Osmanit nuk u informuan kurrë për këtë çështje.
Kështu të paktën ka thënë gjatë emisionit babai i Marigona Osmanit.
“Rasti ka ndodhur para një viti. Nuk kemi të dhëna, jemi duke pritur, prokurori e ka marrë rastin, ende s’na ka kthy përgjigje qysh ka ardh ai SMS, nga ka ardhë. Ai (Dardan Krivaça) ka qenë në burg, SMS-i ka ardhë nga profili i tij (në rrjete sociale) në telefonin e bashkëshortes. Kur jemi shku në Polici, ai i hetuesisë e pyet prokurorin a me ua bë intervistën ose jo, paramendoje ti, tani prokurori tha merrini në pyetje. Duke e ditur rastin tonë” – shtoi Osmani.
Mëngjesi i 22 gushtit të vitit 2021 ishte i kobshëm për një vajzë ferizajase.
Në orët e para të mëngjesit të asaj dite një vajzë 18-vjeçare ishte dërguar në Emergjencën e Spitalit të Ferizajt pa shenja jete.
Trupi i pajetë i Marigona Osmanit ishte dërguar në Spital nga dy persona, të cilët më pas ishin larguar shpejt nga aty.
Rasti kishte alarmuar institucionet, të cilat ishin vënë menjëherë në kërkim të të dyshuarve.
I përcjellë nga një numër i madh i forcave të Policisë dhe i prangosur, Krivaça ishte dërguar në Gjykatën e Ferizajt. Prokuroria kishte kërkuar caktimin e masës së paraburgimit.
Dyshimet fillestare për krimin makabër, gjithnjë sipas Prokurorisë, ishin motivet e xhelozisë.
Sipas Prokurorisë, pos Krivaçës, në vrasjen e 18-vjeçares kishte kontribuar edhe Arbër Sejdiu.
Kur Gjykata e Ferizajt shpalli më 4 gusht 2023 aktgjykimin, Dardan Krivaça u dënua me burgim të përjetshëm për vrasje të rëndë, kurse Arbër Sejdiu u dënua me 15 vjet burgim për ndihmë në vrasje të rëndë.
Në kohën kur ndodhi krimi i rëndë doli se Dardan Krivaça ishte i njohur për organet e drejtësisë, pasi që ai kishte qenë i dënuar me vendim të formës së prerë 9 herë.
Këtë e thotë evidenca e Gjykatës Themelore për të kaluarën kriminale të Krivaçës.
Veprat për të cilat ai është dënuar janë kryesisht vjedhje e rëndë dhe lëndime trupore.
Vetëm gjatë vitit 2022, ndaj Krivaçës ishin shqiptuar 3 dënime të formës së prerë.
E vdekja e Marigona Osmanit kishte qenë rezultat i një dhune mizore.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë, kopjen e të cilës e ka siguruar KALLXO.com, Marigona Osmani para se të vritej ishte dhunuar të paktën dy herë po atë ditë.
Prokuroria e Ferizajt pretendon se dy të akuzuarit e kishin goditur me shkop 18-vjeçaren.
Sipas dosjes së Prokurorisë, i dyshuari Krivaça, për motive të ulëta, me dashje, ka ushtruar mizorisht dhunë fizike mbi viktimën deri sa ajo ka vdekur.
Gjithnjë sipas Prokurorisë, i dyshuari tjetër, Arbër Sejdiu, ka kontribuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në vrasjen e Marigona Osmanit, pasi gjatë gjithë kohës, ka qenë në vendin e ngjarjes dhe ka marrë pjesë në ushtrimin e dhunës psikike e fizike.
Prokuroria ka konstatuar në aktakuzë se Marigona Osmani ishte dhunuar seksualisht para se të vritej.
Në dosjen e Prokurorisë theksohet se Marigona Osmani u keqtrajtua mizorisht dy ditë radhazi.
I pandehuri Dardan Krivaça në stacionin policor në Ferizaj më 24 gusht 2022 dhe në Prokurorinë e Ferizajt më 20 tetor 2022 dhe 7 qershor 2022, ka shfrytëzuar të drejtën e tij ligjore dhe është mbrojtur në heshtje. Njëjtë kishte vepruar edhe në fazën e dhënies së mbrojtjes në Gjykatë.
Në seancën fillestare, me lot në sy, Krivaça kur është pyetur nga trupi gjykues nëse ndihej fajtor apo jo, kishte thënë: “S’po mundem kurrgjë me kuptu”.
Në këto rrethana nga Gjykata ishte konstatuar se i pandehuri Krivaça nuk e pranon fajësinë.
Ndërsa, Arbër Sejdiu kishte deklaruar se nuk e pranon fajësinë.
Procesi gjyqësor kishte vazhduar me mbajtjen e një numri të madh të seancave gjyqësore, ku në cilësinë e dëshmitarëve ishin dëgjuar familjarët e të ndjerës, mjeku kujdestar si dhe ishin lëshuar video-incizimet, të cilat ishin marrë nga kamerat që kishin qenë të vendosura brenda banesës ku ishte kryer vepra penale.
Ndër të tjera, prindërit e Marigona Osmanit kishin theksuar se që nga koha kur kanë qenë në dijeni për lidhjen e të bijës, kanë vënë re humbje peshe, zbehje e ndonjëherë edhe shenja në trup.
“Kam vërejtur shenja nëpër trup, e fytyrë, mirëpo nuk kam mundur ta pyes. Kam bisedu me të, ajo s’ka tregu kurrgjë, u kanë shumë e lodhtë, rrijke vetëm shtrirë” – kishte thënë nëna e Marigona Osmanit në seancë.
Ajo kishte folur edhe për ditët e fundit sa ishte gjallë e bija. Për herë të fundit tha se ka biseduar me Marigonën të premten e 20 gushtit 2022.
“Unë të premten kam bisedu me Marigonën, edhe kjo ka qenë biseda e fundit, e kam thirrë edhe në mbrëmje e s’u lajmëru se ky më ka thënë që vetëm një herë në ditë ke me folë me çikën tënde” – kishte thënë nëna e Marigona Osmanit.
“I pandehuri Dardan Krivaça, me 22 gusht 2021, rreth orës 10:14, në banesën e tij në Ferizaj, pa pëlqim e saj e detyron të ndjerën Marigona Osmani për të kryer marrëdhënie seksual, e cila përcillet me tortura, në atë mënyrë që fillimisht pa dëshirën e saj kryen marrëdhënie seksuale në sallon, pas kryerjes së aktit seksual të njëjtën të zhveshur e dërgon në banjo, nga aty me dhunë e dërgon në dhomën e gjumit, mirëpo me kalimin e kohës për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore si pasojë e dhunës së ushtruar humb aftësinë për të rezistuar, e ku në dy raste në mbrëmje kryen marrëdhënie seksuale pastaj të zhveshur e dërgon në banjë, e ku i vërehen edhe lëndimet në trup” – përshkruhet në aktakuzën e ngritur më 2022.
Prokuroria e ngarkonte Dardan Krivaçën për vrasje të rëndë dhe dhunim, ndërkaq i pandehuri i dytë Arbër Sejdiu po akuzohet për veprën penale vrasje e rëndë dhe ndihmë në kryerjen e dhunimit.
“I pandehuri Arbër Sejdiu, me 22 gusht 2022, në banesën e të pandehurit të parë në rrugën në Ferizaj, me dashje i ndihmon në kryerjen e veprës penale të dhunimit, në atë mënyrë fillimisht kontaktojnë përmes telefonit dhe takohen në qytet, pastaj së bashku kthehen në banesë, ku i pandehuri Arbër Sejdiu posa mbërrijnë duke qenë në dijeni se i pandehuri Dardan është duke e dhunuar tani të ndjerën Marigona Osmani, me dashje merr veprime me të cilat lehtësohet kryerjen e dhunimit, ashtu që së bashku menjëherë hyjnë në dhomën ku kryhet dhunimi, e ku e ndjera ishte e zhveshur, e të cilën veprim gjatë qëndrimit në banese e merr disa herë” – thuhet ne aktakuzë, ku gjithashtu theksohen edhe veprimet tjera të të pandehurit të dytë.
“I pandehuri Arbër Sejdiu po ashtu dhe gjatë asaj kohe përcjell gjendjen nëse ndonjë nga banorët është duke lëvizur atypari, po ashtu edhe disa herë del nga banesa për të blerë gjëra ushqimore, gjatë gjithë kohës bisedojnë mes vete dhe i jep të pandehurit Dardan Krivaça telefonin për të thirr kompaninë e cila menaxhon kamerën, që është e vendosur në korridorin e banesës me qëllim të fshihen video incizimet gjegjësisht provat e veprës penale” – thuhet në aktakuzë.
Prokuroria e Ferizajt pretendonte në aktakuzë se dy të pandehurit e kanë goditur viktimën me shkop.
“Me dashje dhe në bashkëkryerje, me qëllim të fshehjes së veprës penale dhunimi e privojnë nga jeta tani të ndjerën Marigona Osmani, me të cilën i pandehuri i parë ishte në bashkësi jashtëmartesore, në atë mënyrë që në intervale kohore nga ora 10:56 deri në orën 14:43, i pandehuri i parë merr një shkop, e së bashku me të pandehurin e dytë hyjnë në dhomë dhe e godasin në pjesë të ndryshme të trupit, me ç’rast të njëjtës i shkaktojnë dhimbje të mëdha fizike dhe psikike, ku nga goditjet pëson politrauma-lëndime të shumëfishta, ku vdekja shkaktohet drejtpërdrejtë nga asfiksia mekanike, si dhe shoku hemorragjik dhe traumatik, të cilat janë pasojë e gjakderdhjes së jashtme dhe gjakderdhjes së brendshme, nga thyerje e ashtit të nofullës së poshtme, thyerje e brinjëve, klavikulës së majtë, unazave të qafës, gjakderdhjes epidurale dhe subdurale në pjesën e pasme të trurit të madh dhe në trurin e vogël, këputje parciale të palcës së kurrizit në qafë, të njëjtën e dërgojnë në Spitalin e Përgjithshëm – Qendrën Emergjente në Ferizaj dhe largohen nga aty” – thuhet në aktakuzë.