seanca për vrasjen në pazar të Mitrovicës - Foto: KALLXO.com

Vrasja në tregun e Mitrovicës, gjobiten ekspertët që nuk u paraqitën në gjykim

Në një vendim të fundit të Gjykatës së Prizrenit, dy ekspertë nga Instituti i Psikiatrisë Forenzike të Kosovës –(IPFK) janë dënuar me një gjobë prej 250 eurosh për mosparaqitjen e tyre në seancën gjyqësore për rastin e vrasjes në tregun e Mitrovicës.

Ky vendim u mor nga kryetarja e trupit gjykues Raima Elezi me anëtrët Teuta Krusha dhe Vjollca Buzhala. Aktakuza po përfaqësohet nga prokurori Genc Nixha.

Një mosmarrëveshje që lindi pas një bisede rreth rritjes ose jo të fikut në Kosovë po dyshohet se u bë shkak i një konflikti mes dy personave, me ç’rast shitësi 27-vjeçar, V. F., mbeti i vdekur dhe dy të tjerë u plagosën.

Ngjarja tragjike sipas aktakuzës ka ndodhur në tregun e Mitrovicës më 17 prill 2021. Në këtë cështje, Shefki Asllani, nga Prokuroria po akuzohet për veprën penale – vrasje e rëndë.

Të mërkurën, Bujar Obertinca dhe dr. Valbona Blakaj-Ramadani kanë njoftuar mosardhjen në seancë vetëm sot, megjithëse ishin ftuar qysh më 5 tetor 2023.

Arsyetimet e tyre elektronike për mosardhjen janë konsideruar të vonshme dhe jo të bindshme nga gjykatësja Raima Elezi.

Bujar Obertinca kishte shpjeguar se do të marrë pjesë në një seancë tjetër në Gjykatën e Mitrovicës  Dega në Vushtrri, ndërsa dr. Valbona Ramadani ka theksuar angazhimet e saj në zyrën e pranimit dhe si zëvendëse e drejtorit të IPKF-së.

Gjykatësja Raima Elezi, deklaroi se arsyet e dhëna në njoftime elektronike nuk janë të bindshme, pasi ekspertët kanë pranuar ftesën për seancën qysh më parë dhe e kanë nënshkruar për pranim.

“Sa i përket dy ekspertëve dr. Bujrar Obertinca dhe dr. Valbona Ramadani, trupi gjykues vendos që arsyet e dhëna në noftime elektronike nuk janë të bindshme duke pasur parasysh faktin se ekpsertët kanë pranuar ftesën për këtë seancë më datë 5 tetor 2023 dhe i kanë nënshkruar për pranim. Kurse njoftimin për gjykatën e kanë dërguar sot në ditën e mbajtjes së shyqrtimit gjyqësor”-deklaroi gjykatësja Elezi.

Në vijim trupi gjykues ka refuzuar propozimin e mbrojtësit të të akuzuarit, Mahmut Halimi, për leximin e deklaratave të ekspertëve të lartcekur, duke e vlerësuar se është e rëndësishme që ekspertët të marrin pjesë dhe të japin shpjegime lidhur me raportin e ekspertizës.

Avokati Halimi gjithashtu ka shprehur vërejtje dhe ka kërkuar nga Gjykata që të sigurojë praninë e pjesëtarëve të Policisë për sigurimin e sallës gjatë seancës gjyqësore.

Pasi nuk ka pasuar kushte ligjore për të vazhduar me procedurat gjyqësore, seanca e sotme është ndërprerë. Gjykimi i ardhshëm është caktuar për datën 31 janar 2024.

Prokuroria e Mitrovicës më 28 tetor 2021 ka ngritur aktakuzë kundër Shefki Asllanit për veprën penale – vrasje e rëndë.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Asllani, më 17 prill 2021, rreth orës 12:40, në Mitrovicë, në brendi të Tregut të Gjelbër, me dashje ka privuar nga jeta V. F.

Në aktakuzë thuhet se pas një fjalosjeje verbale lidhur me rritjen e fidanit të fikut, vjen deri te konflikti fizik, ku së pari Valmir Fazliu e godet me gërshërë të pandehurin në kokë dhe i shkakton plagë shqyese në regjionin e kokës, me ç‘rast i pandehuri nxjerr revolen nga brezi dhe e qëllon viktimën, duke e goditur në pjesën e përparme të trupit, si pasojë e të cilave vdes.

Si pasojë e të shtënave nga i pandehuri, janë plagosur edhe Lutfi Fazliu si dhe kalimtari i rastit, Agim Abdullahu.

Ndryshe çështja është transferuar në Gjykatën e Prizrenit nga Gjykata e Mitrovicës pas vendimit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës në nëntor të vitit 2022.

Raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i gjeni në këtë LINK.