Vrasja e 23-vjeçarit me thikë, Gjykata e Prizrenit shpall aktgjykimin për të akuzuarit

Gjykata e Prizrenit ka shpallur aktgjykim lidhur me dy të akuzuarit për rastin e vrasjes me thikë të 23-vjeçarit Mendim Kurtishaj.

Zëdhënësi i Gjykatës Marcel Lekaj ka konfirmuar për Kallxo.com se dy të pandehurit janë gjetur fajtor për këtë rast.

“I pandehuri Orhan Ademaj, është shpallur fajtor për veprën penale Vrasje e Rëndë, dhe ndaj të njëjtit është shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej 22 vitesh. Kurse i pandehuri Albert Ademaj, është shpallur fajtor, për veprën penale, Vrasja e Rëndë në ndihmë lidhur me nenin 33 (ndihma në kryerjen e veprës penale), dhe ndaj të njëjtit është shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej 13 vitesh” – thuhet në përgjigjen me shkrim të zëdhënësit Marcel Lekaj.

Që të dyve do të ju llogaritet koha e kaluar në paraburgim prej datës 1 maj 2020.

Në paraburgim Orhan dhe Albert Ademaj do të qëndrojnë deri në plotfuqishmërinë e vendimit.

Prokuroria akuzon Orhan Ademajn dhe Albert Ademajn se më 1 maj 2020, në Prizren, në rrugën “Ismail Kryeziu”, tek i ashtuquajturi “Tranziti i ri”, në bashkëkryerje, me dashje, nga motivi i hakmarrjes, privojnë nga jeta Mendim Kurtishajn.

Në aktakuzë thuhet se dy të akuzuarit me veturën e tyre, të cilën ishte duke e drejtuar Albert Ademaj, e ndjekin Mendim Kurtishajn, i cili ishte në motoçikletë së bashku me dëshmitarin M. H.

Tutje sqarohet se kur arrijnë te “Tranziti i ri” në Prizren, rrugë e cila nuk ka dalje e që vërehet nga kamerat e sigurisë, Orhan Ademaj pasi del nga automjeti i afrohet Mendim Kurtishajt, dhe në konflikt me viktimën e godet me thikë në pjesën ballore të gjoksit.

Pas kësaj me të shpejtë kthehet në automjet dhe largohen nga vendi i ngjarjes.

Gjithnjë sipas aktakuzës, më pas vjen autoambulanca – emergjenca në vendin e ngjarjes dhe viktima është dërguar në Spitalin Rajonal në Prizren, me ç’rast është vërtetuar se viktima në Emergjencë ka arritur pa shenja jete.

Me këto veprime Orhan dhe Albert Ademaj nga Prokuroria akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale – vrasja e rëndë.

Çështja në këtë rast po drejtohet nga kryetarja e trupit gjykues, Raima Elezi me anëtarët gjykatës – Luan Berisha dhe Alija Fazliji. Aktakuza përfaqësohet nga prokurori Genc Nixha.

Raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK.