FOTO nga seanca, Gjykata Themelore e Gjakoves

Gjykimi për vjedhjen e atleteve shtyhet pasi avokatja pëson aksident

Në gjykimin e Leonard Kameri, i cili po akuzohet për veprën penale të vjedhjes së rëndë, seanca e paraparë për sot u shty për datën 28 Shtator.

Shkak i mos-mbajtjes së seancës në Gjykatën Themelore të Gjakovës, ishte mungesa  e mbrojtëses së të akuzuarit, avokates Xhevahire Kloppner.

Kameri po akuzohet për vjedhje të rëndë të ndodhur në Korrik të vitit 2014.

Avokatja nga Prishtina rrugës gjatë ardhjes në Gjakovë, kishte pësuar një aksident dhe për këtë e kishte njoftuar gjykatën.

I akuzuari Leonard Kameri kërkoi nga gjykata që seanca të shtyhet si pasojë e mos-prezencës së avokates së tij.

Prokurori i rastit Ramiz Buzhala, nuk e kundërshtoi shtyrjen e seancës pasi që avokatja e të akuzuarit është me autorizim në lëndë dhe se e njëjta e ka njoftuar paraprakisht gjykatën për mos-prezencën e saj sot.

Sipas aktakuzës me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm, në dyqanin e këpucëve, pronë e Artan Mati nga Gjakova, i pandehuri Leonard Kameri me një guri e thyen derën e shitores dhe hynë brenda.

Aktakuza shpjegon se pasi që i njëjti kishte menduar se brenda do të gjente të holla, mirëpo nuk ka gjetur, atëherë ka marrur një parë atlete dhe më pas ishte larguar nga vendi i ngjarjes.

Me këto veprime dyshohet se i njëjti ka kryer veprën penale të vjedhjes së rëndë.