Ilustrim

Arrestohet një 21-vjeçar në Prizren, dyshohet se vodhi një portofol me 1,150 euro në të

Një 21-vjeçar me inicialet E.B. është arrestuar nga Policia nën dyshimin se ka vjedhur një portofol me më shumë së 1 mijë euro në të.

Rasti që është iniciuar si – vjedhje e rëndë ka ndodhur më 03.03.2024 në ora 19:24h në rrugën e “Jonit” në Prizren, e arrestimi i të dyshuarit ka ndodhur më 07.03.2024.

Sipas njoftimit, në stacioni policor në Prizren ka pranuar informacionin për rastin në fjalë.

Policia tha se rastit i është përgjigjur ekipi i patrullës, i cili në vendin e ngjarjes ka kontaktuar viktimën.

“Ajo ka deklaruar se i është vjedhur portofoli i saj bashkë me dokumentet personale si dhe para të gatshme në vlerë prej 1 mijë e 150 euro” – njoftoi Policia.

Tutje u theksua se nga hetuesit e stacionit janë ndërmarrë veprime taktike-operative në terren dhe është identifikuar e arrestuar tanimë i dyshuari nga Prizreni.

Policia tha se i dyshuari është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës dhe se për rastin është arritur që të gjendet prova kryesore si portofoli dhe disa prova tjera.

Në njoftim u tha se pas përfundimit të proceduarve të para hetimore prokurori i shtetit ka lëshuar aktvendim mbi ndalimin për të dyshuarin me kohëzgjatje prej 48 orë.