Nga gjykimi i Granit Elshanit. Foto: Kallxo.com
Gjykimi i Granit Elshanit - Dëshmitarëve Nuk u Kujtohen Detajet e Incidentit në ‘City Club’
Seancat e parapara të mbahen nesër dhe pasnesër në gjykimin e Granit Elshanit për incidentin e ndodhur në fillim të vitit 2010 në Pejë janë shtyrë për muajin prill, kurse gjatë seancës se sotme u dëgjuan dy dëshmitarët e fundit të këtij shqyrtimi gjyqësor.
Anëtari i familjes Elshani nga Ozdrimi i Pejës, Graniti, akuzohet nga Prokuroria Speciale e Kosovës se më 2 janar të vitit 2010, ishte futur në diskotekën “City Club” në Pejë me qëllim për ta privuar nga jeta për motive të hakmarrjes, anëtarin e familjes Kelmendi, Valdetin.
Si pasojë e këtyre të shtënave që ndodhën natën e dytë të vitit 2010 në ketë diskotekë të Pejës, humbi një person dhe u plagosen edhe tre të tjerë, ndër ta edhe Valdet Kelmendi.
Gjatë seancës se sotme, kryetari i trupit gjykues, Sami Sharraxhiu, tha se avokatët mbrojtës të akuzuarit Granit Elshanit kanë parashtruar propozim që të shpallen si prova të papranueshme provat e siguruara nga policia gjatë bastisjes se shtëpisë se Tahir Hysenit.
Për të njëjtin propozim, trupi gjykues tha se e ka njoftuar edhe prokurorin e EULEX-it, ndërsa ky i fundit, siç njoftoi trupi gjykues, ka kërkuar që propozimi i avokatëve të Granit Elshanit të hedhet poshtë si i pabazuar.
Ndërkaq, kryetari i trupit gjykues tha se pas konsultimit, gjykata ka marrë aktvendim që ta refuzojë propozimin e mbrojtjes së Elshanit.
Po ashtu kryetari i trupit gjykues, tha se ndaj vendimit të trupit gjykues, mbrojtja ka parashtruar ankesë në Gjykatën e Apelit, raporton kallxo.com.
Për këtë arsye, deri në marrjen e një vendimi nga Gjykata e Apelit lidhur me ankesën e mbrojtjes, seancat e parapara të mbahen nesër dhe pasnesër të këtij shqyrtimi gjyqësor u caktuan të mbahen më 23 dhe 24 prill të këtij viti.
Tutje, gjatë seancës se sotme pritej ta jepnin dëshminë e tyre edhe katër dëshmitarë tjerë, ndërsa në seancë u paraqiten vetëm dy prej tyre, kurse për dy të tjerët prokurori u tërhoq nga propozimi të dëgjohen në cilësinë e dëshmitarëve.
Punëtori i sigurimit të diskotekës në natën kritike, Burim Hasani, sot ka dhënë dëshminë e tij para trupit gjykues rreth ngjarjes që kishte ndodhur natën e 2 janarit të vitit 2010.
Ai tha se atë natë si punëtor i sigurimit kishte qenë i angazhuar te dera hyrëse e diskotekës, ndërsa bëri të ditur se nga pronari i diskotekës kishin marrë rekomandime që mos të kontrollohen mysafirët, por vetëm t’u merrej pagesa e hyrjes.
Më pas, dëshmitari Hasani tha se ishte i angazhuar te pjesët e shkallëve në brendi të lokalit, por kur u pyet nga prokurori për të shtënat që ndodhën atë natë, dëshmitari tha se nuk i kujtohet për shkak të një tragjedie që ka pësuar para katër viteve në familje.
“Nuk me kujtohet asgjë, sepse para katër viteve kam pasur tragjedi në familje, më është zhdukur djali. Nuk me kujtohet asgjë”, tha ai.
Prokurori i EULEX-it i tha dëshmitarit ta lexojë deklaratën e tij të dhënë në janar të vitit 2010 në polici, për atë se çfarë kishte deklaruar ai disa ditë pas ngjarjes. Por përkundër kësaj, dëshmitari tha se nuk i kujtohet asgjë.
Njëjtë sikurse Burim Hasanit, rasti nuk i është kujtuar as dëshmitarit tjetër, Shpat Ukellës, që atë natë ishte mysafir në diskotekë.
Ai tha se qëndron prapa deklarimit të tij të dhënë në polici, ndërsa theksoi se rastin e ndodhur e ka harruar tërësisht, pasi që ka qenë “diçka shumë e hidhur” për të, raporton KALLXO.com.
Sipas aktakuzës të ngritur ndaj Granit Elshanit për rastin e ndodhur natën e 2 janarit 2010 në diskotekën “City Club”, pretendohet se i akuzuari Granit Elshani kishte hyrë në këtë diskotekë dhe me dy revole të tipit “TT” kishte filluar të shtinte në drejtim të tani të ndjerit Besart Shabi dhe Valdet Kelmendi.
Siç përshkruhet në aktakuzë, natën kritike Granit Elshani shënjestër të vrasjes kishte anëtarin familjes Kelmendi, Valdetin, por fat të keq kishte Besart Shabi, i cili kishte qëlluar afër tij.
http://kallxo.com/historia-e-konfliktit-elshani-kelmendi-qe-la-23-te-vrare/
Prokuroria Speciale pretendon se në konfliktin në mes dy familjeve janë kryer 29 sulme të cilat kanë rezultuar me 23 të vrarë – 10 pjesëtarë të familjes Kelmendi, tre të familjes Elshani dhe dhjetë viktima të rastit. Në mesin e të vrarëve janë edhe dy fëmijë.
KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi rreth këtij rasti. Raportimet mund t’i lexoni në këtë link.