Dëgjohen zyrtarë policor-hetues në gjykimin ndaj Granit Elshanit

Në gjykimin e Granit Elshanit, i akuzuar për vrasje e tri vrasje në tentativë, ka dëshmuar zyrtari policor, Riza Mahaj. Ai dhe dëshmitarë tjerë kanë dhënë dëshmi për ditën kur Elshani është arrestuar, e më pas u lirua natën e 2 janarit 2010, ditë kjo kur u vra Besart Shabi dhe i plagosur mbeti Valdet Kelmendi në diskotekën “City Club”, në Pejë.

Në Gjykatën e Gjakovës, para trupit gjykues Mentor Bajraktari, Nikollë Komani e Shaqir Zika, dëshminë  eka dhënë edhe Shpëtim Tafili, i cili kishte qenë hetues rajonal të Pejës në sektorin e vrasjeve. Ai tregoi se në natën kritike kishte për detyrë të merrte targat e veturave që kishin qenë në afërsi të vendit të ngjarjes dhe identifikimin e personave të cilët janë larguar nga ajo pjesë.

Ai tha se në afërsi të vendit të ngjarjes, jashtë lokalit ka qenë një person i plagosur.

Dëshmitari Shpëtim Tafili, tregoi që Granit Elshani atë natë ka qenë i intervistuar për armëmbajtje pa leje, pa prezencën e ndonjë avokati.

“Sipas Granitit, armën e kishte gjetur gjatë ecjes prej shtëpisë së tij në Ozdrim e deri në drejtim të fshatit Ramun të Pejës dhe se tek i njëjti është parë një masë e shqetësimit, që është normale, sepse qoftë edhe në cilësi të dëshmitarit, shihet një shqetësim tek personat që intervistohen”, deklaroi dëshmitari Shpëtim Tafili.

Ai tha se arma e gjetur ka qenë 9 milimetërshe, armë TT, por që të njëjtën nuk e kishte parë personalisht.

Avokatja e Elshanit, Kosovare Kelmendi i dha për lexim dëshmitarit deklaratën e klientët të saj, duke e pyetur se a i kujtohet se për çfarë arme bëhej fjalë bazuar në përmbajtjen e deklaratës?

“Në bazë të kësaj deklarate, kuptohet se i akuzuari është intervistuar lidhur me armën që i është gjetur, ndërsa për çfarë arme bëhet fjalë, atëherë është përgjegjës kolegu i krimteknikës”, u përgjigj dëshmitari Shpëtim Tafili.

Ndërkohë, mbrojtësja e të akuzuarit Granit Elshani propozoi që të shpallet e pavlefshme deklarata e tij e dhënë në Polici në cilësinë e të dyshuarit për armëmbajtje pa leje, pasi që këtë deklaratë e ka dhënë pa prezencën e ndonjë avokati, mirëpo gjykata e refuzoi një propozim të tillë.

Më pas, dëshmitari Ismet Fetaj atëkohë hetues i ekipit të vrasjeve në rajonin e Pejës, tregoi që atë natë kishte qenë i angazhuar në një rast në rajonin e Gjakovës dhe Prizrenit dhe se për rastin e ndodhur ishte njoftuar ditën e nesërme.

Ai tha se veprimet e tija kishin qenë kryesisht në identifikimin dhe intervistimin e dëshmitarëve të ngjarjes.

Ismet Fetaj, tregoi që arma e gjetur te Granit Elshani ka rezultuar më përputhshmëri me plagosjen e një zyrtari policor, përkatësisht Hasan Buqaj, jashtë lokalit “City club”.

Sipas Fetajt, janë ekzaminuar të gjitha provat për ekzaminim në laborator të forenzikës apo AKF dhe se sipas tij janë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për rastin.

Në pyetjen e avokates Kosovare Kelmendi për dëshmitarin Ismet Fetaj, se i njëjti a e ka parë armën që është gjetur në fshatin Ramun të Pejës, ai tha se “me siguri që e kam parë pasi që e kam dorëzu edhe në laborator të forenzikës për ekzaminim, por që nuk më kujtohet çfarë lloji ka qenë, por sa më kujtohet kur kanë me u bo analiza të ADN-së e të gjurmëve të gishtave, arma duhet të jetë e mbyllur”.

Pas përfundimit të dëshmive, gjykata caktoi datën 14 prill, për dëgjimin e dëshmitarëve të radhës.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për këtë rast.

https://kallxo.com/lajm/ne-prill-vazhdon-gjykimi-ndaj-granit-elshanit/

Sipas aktakuzës, Elshani kishte shtënë për motive hakmarrjeje ndaj Valdet Kelmendit.

Konflikti pejan që mori shumë jetë njerëzish, kishte nisur qysh në vitin 2000.

23 persona kanë vdekur në konfliktin mes familjeve Elshani e Kelmendi – 10 të familjes Kelmendi, 3 të asaj Elshani dhe 10 persona tjerë.

Granit Elshani i takon familjes Elshani nga Ozdrimi i Pejës, e cila në aktakuzën e prokurorisë pretendohet se ka hasmëri me familjen Kelmendi që nga viti 2000.

Në Maj të vitit 2018, Gjykata e Pejës e gjeti fajtor Granit Elshanin dhe e dënoi me 25 vjet burgim, mirëpo Gjykata e Apelit e ktheu rastin në rigjykim.

Në aktakuzën e prokurorit të EULEX-it, ishte përshkruar konflikti mes dy familjeve që kishte marrë jetën e 23 personave.

Aktakuza thotë se natën kritike Granit Elshani, shënjestër të vrasjes kishte anëtarin e familjes Kelmendi, Valdetin, por për fat të keq Besart Shabi kishte qëlluar afër tij.

Aktakuza shpjegon se në këtë konflikt familjesh kanë ndodhur 29 sulme të cilat kanë rezultuar me 23 të vrarë – 10 pjesëtarë të familjes Kelmendi, tre të familjes Elshani dhe dhjetë viktima të rastit, e në mesin e tyre edhe dy fëmijë.

Gjatë incidenteve ishin plagosur 38 persona, prej të cilëve 15 nga familja Kelmendi, shtatë nga familja Elshani dhe 16 viktima të rastit.

Granit Elshani akuzohet për vrasje të rëndë, tri tentim vrasje, shkaktim i rrezikut të përgjithshëm dhe armëmbajtje pa leje.

Këto akuza janë konsumuar natën e 2 janarit 2010 në diskotekën “City Club” në Pejë.

Në përballje me gjykatën, Granit Elshani kishte mohuar se kishte qenë personi që kishte shtënë me armë zjarri në diskotekë.

Askush nga dëshmitarët nuk kishin arritur ta identifikonin Elshanin si personi që kreu vrasjet.

Ndërsa Xhevdet Kelmendi, njëri nga pjesëtarët e gjallë të familjes Kelmendi, kishte thënë që atë natë Graniti ka gjuajtur me dy armë në drejtim të vëllaut të tij Valdetit.

https://kallxo.com/rrefimi-i-xhevdet-kelmendit-per-vrasjef-ne-konfliktin-elshaneve-dhe-kelmendeve/