Seanca gjyqësore ndaj të akuzuarit për vrasjen e një personi dhe plagosjen e tre të tjerëve, Granit Elshani | Foto: KALLXO.com
Avokatja e Granit Elshanit: Nëse vërtetoni se ai ka qenë në Pejë kur ka ndodhur vrasja, dënojeni edhe më gjatë
Është kërkuar rigjykim për rastin e vrasjes në Pejë, ku i akuzuar është Granit Elshani.
Rigjykimi u kërkua nga mbrojtësja e tij, avokatja Kosovare Kelmendi, në seancën e mbajtur në Gjykatën e Apelit.
Avokatja Kelmendi e elaboroi ankesën e parashtruar kundër vendimit të Gjykatës Themelore të Gjakovës duke e konsideruar atë si të kundërligjshëm si dhe të gjithë ngjarjen e konsideroi si të montuar.
Tutje ajo tha se vendimi i gjykatës së shkallës së parë është bazuar në prova jo të ligjshme dhe të cilat nuk vërtetojnë se Elshani ka kryer këtë vepër penale.
“Në qoftë se edhe një provë të vetme e gjeni në shkresat e lëndës që Granit Elshani ka qenë në Pejë me 1, 2, 3 Janar 2010, atëherë me të vërtetë e meriton dënim me burgim afatgjatë, e jo ky që i është shqiptuar” – tha Kelmendi.
Një anëtar i familjes Kelmendi nga Peja ishte plagosur më 2 janar të vitit 2010 gjatë një gjuajtje me armë brenda një diskoteke, sulm që la tre të plagosur dhe një të vdekur.
Prokuroria Speciale pretendon se në konfliktin në mes dy familjeve janë kryer 29 sulme të cilat kanë rezultuar me 23 të vrarë – 10 pjesëtarë të familjes Kelmendi, tre të familjes Elshani dhe dhjetë viktima të rastit. Në mesin e të vrarëve janë edhe dy fëmijë.
Lidhur me këtë rast, Elshani është dënuar nga Gjykata e Pejës me 24 vite burgim nën akuzën se ka kryer 1 vrasje dhe 2 vepra tjera penale.
Granit Elshani akuzohet se më datën 02 janar 2010, në Pejë, në diskotekën “C. C.”, e cila gjendet në afërsi të sheshit “Haxhi Zeka” në Pejë, me dashje në shenjë hakmarrje për ta privuar nga jeta të dëmtuarin Valdet Kelmendi.
Në aktakuzën e prokurorisë thuhet se Elshani ka nxjerr dy armë dhe ka filluar të gjuaj në drejtim të tij me këtë rast me dashje ka privuar nga jeta viktimën B. Sh. dhe ka rrezikuar jetën e të dëmtuarve V. K., A. B. dhe një numri të madh të personave të pranishëm në diskotekë.
Po ashtu në largim e sipër nga vendi i ngjarjes, jashtë diskotekës “C. C.”, me armë zjarri ka shkaktuar rrezik të madh për jetën e njerëzve, duke rezultuar me lëndim të rëndë trupor për të dëmtuarit H. B.”.
Të gjitha raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t`i lexoni duke klikuar në LINK.