24 vite burgim për Granit Elshanin, mbrojtja paralajmëron ankesë

24 vite burgim iu shqiptuan Granit Elshanit për njërën prej ngjarjeve me të bujshme të qytetit të Pejës.

Burgimi prej 24 vitesh i është shqiptuar nën akuzën se ka kryer 1 vrasje dhe 2 vepra tjera penale.

Mbrojtja e Elshanit ka paralajmëruar ankesë ndaj këtij vendimi në gjykatën e Apelit.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar njëri prej mbrojtësve të tij, avokati Bujar Bërdynaj.

Elshani është dënuar për herë të dytë nga gjykata e shkallës së parë.

Ai u dënua me 25 vite burgim në vitin 2018 nga gjykata e Pejës, në trupit gjykues me kryetar gjyqtarin Sami Sharraxhiu.

Ky vendim i Themelores nuk e morri aprovimin e Gjykatës së Apelit, pasi ajo vendosi që këtë çështje ta ktheje në rigjykim.

Pas apelimit të këtij vendimi rasti ishte kthyer në rigjykim në gjykatën e shkallës së parë.

Procesi gjyqësor i radhës ndaj Granit Elshani që u gjykua nga gjykatësi Sylë Lokaj, përfundoi me një vendim që e rihapi shqyrtimin gjyqësor.

Ky proces gjyqësor kaloi në kompetencë të Gjykatës në Gjakovë, e cila pas gjykimit të rastit dje ka marrë vendim që e gjeti fajtor Elshanin duke e dënuar me 24 vite burgim.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për këtë rast.

Një anëtar i familjes Kelmendi nga Peja u plagos më 2 janar të vitit 2010 gjatë një gjuajtje me armë brenda diskotekës që la tre të plagosur dhe një të vdekur, viktimën Besart Shabi.

Prokuroria Speciale pretendon se në konfliktin në mes dy familjeve janë kryer 29 sulme të cilat kanë rezultuar me 23 të vrarë – 10 pjesëtarë të familjes Kelmendi, tre të familjes Elshani dhe dhjetë viktima të rastit. Në mesin e të vrarëve janë edhe dy fëmijë.