Arkiv - Granit Elshani në gjykatë. Foto: Kallxo.com

Gjykimi ndaj Granit Elshanit, dështon seanca ku pritej të dëgjoheshin rrëfimet e dëshmitarëve

Ka dështuar të mbahet seanca e radhës ndaj Granit Elshanit, i akuzuar për vrasje dhe tri tentim vrasje.

Seanca dështoi të mbahej pasi mungoi prokurori special Afrim Shefkiu.

Gjykatësi Nikollë Komani, anëtar i trupit gjykues, njoftoi se kjo seancë shtyhet për datat 17 dhe 18 maj 2021, pasi që për shkaqe shëndetësore mungon prokurori.

Në seancën e sotme para trupit gjykues të përbërë nga gjyqtarët Mentor Bajraktari, Nikollë Komani e Shaqir Zika, ishe planifikuar që të dëgjoheshin  dëshmitarë të rastit.

Granit Elshani ishte arrestuar e më pas liruar natën e 2 janarit 2010, datë kjo që përkon me vrasjen e Besart Shabit dhe plagosjen e Valdet Kelmendit në diskotekën “City Club”, në Pejë.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për këtë rast.

Sipas aktakuzës, Elshani kishte shtënë për motive hakmarrjeje ndaj Valdet Kelmendit.

Konflikti mes familjes Elshani dhe Kelmendi që mori shumë jetë njerëzish, kishte nisur qysh në vitin 2000.

23 persona kanë vdekur në konfliktin mes familjes Elshani e Kelmendi – 10 të familjes Kelmendi, 3 të asaj Elshani dhe 10 persona tjerë.

Granit Elshani i takon familjes Elshani nga Ozdrimi i Pejës, e cila në aktakuzën e prokurorisë pretendohet se ka hasmëri me familjen Kelmendi që nga viti 2000.

Në Maj të vitit 2018, Gjykata e Pejës e gjeti fajtor Granit Elshanin dhe e dënoi me 25 vjet burgim, mirëpo Gjykata e Apelit e ktheu rastin në rigjykim.

Në aktakuzën e prokurorit të EULEX-it, ishte përshkruar konflikti mes dy familjeve që kishte marrë jetën e 23 personave.

Aktakuza thotë se natën kritike Granit Elshani, shënjestër të vrasjes kishte anëtarin e familjes Kelmendi, Valdetin, por për fat të keq Besart Shabi kishte qëlluar afër tij.

Aktakuza shpjegon se në këtë konflikt familjesh kanë ndodhur 29 sulme të cilat kanë rezultuar me 23 të vrarë – 10 pjesëtarë të familjes Kelmendi, tre të familjes Elshani dhe dhjetë viktima të rastit, e në mesin e tyre edhe dy fëmijë.

Gjatë incidenteve ishin plagosur 38 persona, prej të cilëve 15 nga familja Kelmendi, shtatë nga familja Elshani dhe 16 viktima të rastit.

Grabit Elshani akuzohet për vrasje të rëndë, tri tentim vrasje, shkaktim i rrezikut të përgjithshëm dhe armëmbajtje pa leje.

Këto akuza janë konsumuar natën e 2 janarit 2010 në diskotekën “City Club” në Pejë.

Në gjykatë, Granit Elshani kishte mohuar se kishte qenë personi që kishte shtënë me armë zjarri në diskotekë.

Askush nga dëshmitarët nuk kishin arritur ta identifikonin Elshanin si personi që kreu vrasjen e Besart Shabit dhe plagosjen e Valdet Kelmendit.

Ndërsa Xhevdet Kelmendi, njëri nga pjesëtarët e gjallë të familjes Kelmendi, kishte thënë që atë natë Graniti ka gjuajtur me dy armë në drejtim të vëllait të tij Valdetit.

Rrëfimi i Xhevdet Kelmendit për vrasjef në konfliktin Elshanëve dhe Kelmendëve