Foto: Komuna e Gjilanit

Gjilan, 150 familje në nevojë ndihmohen me pako ushqimore

Komuna e Gjilanit ka ndihmuar sot familjet me nevojë me 150 pako ushqimore.

Sipas një komunikate për media, kjo është bërë në bashkëpunim me organizatën “Islamic Relief Kosova”.

“Në shenjë solidariteti me familjet me gjendje të rëndë ekonomike dhe sociale, sot organizata “Islamic Relief Kosova”, tashmë e njohur me aktivitetet e saj humanitare, në bashkëpunim dhe koordinim me Drejtorinë e Shëndetësisë, konkretisht me Qendrën për Punë Sociale, kanë shpërndarë 150 pako ushqimore”, thuhet në komunikatë.

Sipas komunikatës, drejtori i Shëndetësisë në Gjilan, Selami Xhemaili, ka falënderuar organizatën për këtë donacion, që sipas tij është i mirëseardhur sepse familjet e përzgjedhura janë raste shumë të rënda.

“Falënderoj organizatën e cila ka sjellë këto pako ushqimore për familjet në nevojë. Jemi duke punuar vazhdimisht për ndryshimin e gjendjes në mënyrë që rastet të cilat kanë mungesën e ushqimit në sofër, të jenë përditë e më pak”, ka thënë Xhemaili.

Kurse, Blerim Gashi, në emër të organizatës ka thënë se janë duke bërë shpërndarjen e pakove ushqimore për 150 familje, prej tyre 120 që janë përzgjedhur nga Qendra për Punë Sociale dhe 30 familje i ka përzgjedhur organizata, e ato janë me jetimë.

E nga ana e tij, Ruzhdi Selimi, ka potencuar rëndësinë që kanë këto pako ushqimore për familjet në nevojë. Ai po ashtu tha se edhe në këtë fazë kërkesat janë ende të mëdha, mirëpo bashkërisht edhe me ndihmën e donatorëve dhe solidaritetin e treguar gjendja gjithnjë është duke u përmirësuar.