Gjykimi ndaj ish-kreut të Gjilanit, prokuroria kërkon rivendosje pas lirimit nga akuzat për krim të organizuar

Në Gjykatën e Apelit sot u mbajt seanca ndaj Qemajl Mustafës dhe të tjerëve për shpërdorim të detyrës zyrtare e krim të organizuar, pasi prokuroria ka bërë ankesë ndaj vendimit për lirimin e tyre.

Në këtë seancë palët mbrojtëse të të akuzuarve njëzëri kërkuan vërtetimin e aktgjykimit lirues, dhe mos pranimin e kësaj ankese të prokurorisë për rivendosje.

Ish-kreu i Gjilanit ishte liruar nga akuza bashkë më të akuzuarit nga Gjykata Themelore e Pejës, me një aktgjykim prej 131 faqesh.

Në arsyetimin e këtij aktgjykimi,  Gjykata e Pejës kishte gjetur se provat e nxjerra nga masat e fshehta, në të cilat mbështet aktakuza e prokurorisë janë marrë në kundërshtim me dispozitat e Kodit të Procedurës Penale.

Në anën tjetër sipas gjykatës, te krimi i organizuar duhet përcaktuar se kush është organizatori i grupit kriminal, kur është formuar, kush e bën mbikëqyrjen dhe udhëheqjen e grupit, apo drejtimin e veprimeve të grupit kriminal.

Pra, gjykata ka gjetur se edhe pse përshkrimi faktik i veprës penale të krimit të organizuar nuk është përpiluar konform dispozitave të Kodit të Përkohshëm Penal, edhe veprimet inkriminuese janë ndërlidhur me prova të papranueshme, andaj dhe i ka liruar nga aktakuza.

Ndaj të njëjtit aktgjykim, Prokuroria Speciale ka bërë ankesë me pretendime se aktgjykimi lirues përmbante shkelje procedurale dhe vërtetim i gabuar ose jo i plotë të gjendjes faktike, duke kërkuar rivendosje në shkallë të parë.

Por, ndonëse kishte parashtruar ankesë dhe kishte kërkuar nga Apeli rivendosje, nga ky institucion nuk u paraqit askush në seancë.

Përveç Prokurorisë Speciale, në seancë nuk u paraqitën as përfaqësues nga Komuna e Gjilanit, në cilësinë e palës së dëmtuar.

Lidhur me këtë, përfaqësues të komunës, me parashtresë e kanë njoftuar gjykatën për mos-prezencën e tyre.

Kryesuesi i kolegjit, gjykatësi Burim Ademi, sqaroi se në seancat e Apelit, nuk ka detyrim ligjor për Prokuorinë Speciale që të jetë prezent domosdoshmërisht.

Dy anëtarët tjerë të Kolegjit që do vendosin për këtë rast janë gjykatësit Bashkim Hyseni dhe Vaton Dërguti.

Cka pretendon prokuroria në ankesën e saj?

Kallxo.com ka siguruar këtë ankesë të Prokurorisë Speciale të bërë ndaj aktgjykimit lirues të nxjerrë nga Gjykata e Pejës.

Në këtë ankesë, Prokuroria konsideron se gjykata e shkallës së parë ka interpretuar gabimisht nenin 259 që ndërlidhet me urdhërin në çështjen konkrete për të përgjuar persona të cilët nuk janë të dyshuar.

Sipas prokuroisë, gjykata gabimisht ka gjetur shkelje të kësaj dispozite, ngase sipas tyre të gjithë personat janë të njëjtë të dyshuar, përveç faktit se provat materiale të marra ishin marrë nga një cështje tjetër që kishte filluar në ish-Gjykatën e Qarkut në Gjilan.

“… e të cilat prova janë shfrytëzuar më vonë për hetim nga ana e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës…”- përshkruhet tutje në ankesën e bërë.

Kurse lidhur me vërtetimin e gabuar ose jo të plotë të gjendjes faktike, prokuroria pretendon se gjykata ka bërë shkelje pasi fare nuk është lëshuar në vërtetimin e gjendjes së plotë faktike pasi provat e nxjerra, përgjimi i telekomunikimeve qysh në fillim i ka shpallur të papranueshme, dhe në këtë rast kanë mbetur pa gjendje faktike.

“… i gjithë dyshimi i bazuar mirë për të akuzuarit të cilët kanë kryer vepra penale për çka edhe janë ngarkuar, ka rrjedhur nga këto prova materiale…” – thuhet tutje në ankesë.

Prokuroria thotë se po t’i vlerësonte mirë gjykata këto prova materiale, të nxjerra nga masat e fshehta do të vërtetonte gjendjen faktike siç përshkruhet në aktakuzë.

Në aktgjykimin e shpallur, si arsye e papranueshmërisë së provave materiale ka qenë mungesa e kërkesës së prokurorit për masa të fshehta të vëzhgimit dhe hetimit, kurse prokuroria pretendon se në shkresat e lëndës ka qenë Urdhëresa e lëshuar në procedurë paraprake nga ish-Gjykata e Qarkut në Gjilan.

Sipas prokurorisë, kjo kërkesë ka ekzistuar, por ka qenë në shkresat e lëndës në procedurë paraprake, dhe për këtë është dashur të kujdeset gjykata ex-officio.

Historiku procedural i rastit

Procesi gjyqësor ndaj ish-kreut të Gjilanit ishte përshkruar me zvarritje të shumta procedurale.

Aktakuza për këtë rast penal ishte kthyer dy herë për plotësim dhe ndryshim nga gjyqtari Lokaj, i cili kishte udhëhequr me këtë proces gjyqësor, por pas pensionimit në krye të trupit gjykues kishte qenë gjykatësja Kuka-Mekaj.

Pasi ishte plotësuar dy herë akti akuzues, gjyqtari i çështjes Sylë Lokaj gjatë vitit 2017 e kishte hudhur poshtë krejtësisht aktakuzën.

Hudhja poshtë e aktakuzës nga ish-gjyqtari i Krimeve të Rënda nuk ishte aprovuar nga Gjykata e Apelit, e cila kishte konstatuar se gjyqtari nuk kishte dhënë arsye se pse ishte hedhur poshtë akti akuzues.

Pas këtij vendimi të Apelit, Gjykata në Pejë e kishte mbajtur shqyrtimin fillestar dhe i kishte pranuar ankesat e të akuzuarve.

Pas trajtimit të këtyre ankesave përsëri gjyqtari Sylë Lokaj e kishte hudhur aktakuzën mirëpo kësaj radhe e kishte hedhur vetëm pikën e krimit të organizuar dhe jo në tërësi aktakuzën.

Sikurse me vendimin paraprak, as me vendimin e dytë për hudhjen poshtë të krimit të organizuar nuk u pajtua gjykata e Apelit.

Apeli me vendimin e vitit 2019 e kishte urdhëruar gjyqtarin Sylë Lokaj që të fillonte gjykimin për krim të organizuar kundër ish kreut të Gjilanit dhe të tjerëve.

Në këtë proces ish-kryetari i Gjilanit, Qemajl Mustafa akuzohej se ka qenë “koka” e një grupi kriminal i cili është marrë me kurdisjet e dhënies së tenderëve për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e rrugëve.

Prokuroria pretendon se kompanitë në Gjilan i fitonin tenderët në bazë të kurdisjeve me ish-kryetarin dhe menaxheren e prokurimit.

Në aktakuzë thuhet se Qemajl Mustafa duke e përdorur fuqinë e tij si kryetar i komunës ka koordinuar dhe ka qenë në dijeni për të gjitha aktivitetet e prokurimit, me ç’rast ai vendoste edhe për caktimin e anëtareve të komisioneve vlerësuese të dhënies së tenderëve.

Në aktakuzë pretendohet se Qemajl Mustafa në mënyre arbitrare pa  respektuar procedurat e prokurimit i kishte dhëne pune kompanisë “Bejta Comerce” me pronar të pandehurin Basri Kqiku në shumën prej  787,000.00 euro.

Para lirimit nga akuzat të akuzuarit: Qemajl Mustafa, Hatixhe Daku, Vehbi Geci, Qefsere Sadriu, Ilaz Rashiti, Musa Nasufi, Muhamet Kastrati, Heset Mahmuti, Fatmir Halili, Drita Bajrami, Agim Hoxha, Ramush Musliu, Selvije Shefkiu, Ganimete Kastrati, Shemsedin Qerimi, Merita Canaj Shabani, Ibrahim Foniqi, Hamdi Ismajli, Fadil Osmani, Heset Asllani, Selver Xhelili, Qemajl Latifi, Enver Biqku, Asllan Mustafa, Naser Sylejmani, Zeqirja Fazliu, Azem Mujku dhe Naim Jashari, akuzoheshin për veprën penale – krimi i organizuar lidhur me veprën penale shpërdorimi i pozitës zyrtare ose i autorizimit.

Pjesë e aktakuzës ka qenë edhe Behar Mehmeti por procedura ndaj tij është ndërprerë.

Ndërsa të pandehurit: Basri Kqiku, Avdyl Pireva, Rrustem Hajdari, Florim Zuka, Skender Imeri, Naser Mehmeti, Mejdi Ahmeti, Burim Govori, Asllan Asllani dhe Asllan Syla,  për veprat penale – krimi i organizuar lidhur me veprën penale -keqpërdorim i autorizimeve në ekonomi.