Foto: KALLXO.com

Gjermania ripërsërit qëndrimin kundër shkëmbimit të territoreve

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka pasur një takim mëngjesin e sotëm me deputetët e Bundestagut gjerman, Peter Bauer dhe Christian Schmidt.

Pas takimit në Qeveri,  Haradinaj e përmendi liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, kurse gjermanët u shprehen kategorikisht kundër idesë për “shkëmbim territoresh”.

“Sot kam pas nderin të pres dy deputëtë gjermanë me përvojë, e që janë të interesuar për Kosovën dhe rajonin në përgjithësi. Me ta biseduam për bashkëpunimin bilateral mes Kosovës dhe Gjermanisë dhe ofruam gatishmërinë për me themelu ende marrëdhënie. Ne jemi Kosovë dhe dëshiroj të jemi Kosovë po ashtu edhe të jemi qytetarë të Europës edhe si qytetarë të lirë dhe pa viza, shpresoj që vjen kjo ditë që do të ecim pa viza”, the kryeministri.

Ndërkaq, deputeti i Bundestagut gjerman nga CSU-ja, Christian Schmidt tha se ka gatishmëri për Kosovën që të jetë në Europë, si dhe përmendi edhe idenë e “korrigjimit të kufirit”.

“Nuk është vizita jonë e parë këtu dhe kjo është baza kryesore për bashkëpunim në të ardhmen dhe ne e falënderojmë Kosovën dhe kryeministrin për mirëpritjen e ushtarëve tonë në mision. Edhe gatishmëria për Kosovën që të jetë në Europë ekziston dhe e mirëpresim këtë rrugëtim”, tha ai.

Deputeti gjerman ripërsëriti kundërshtimin për idenë e “korrigjimit të kufirit”.

“Sa i përket shkëmbimit të territoreve, e përmenda që jemi kundër kësaj ideje, s’mundemi m’i zgjidh problemet përmes krijimi të problemeve të reja, edhe ai që vërtet mendon me zgjidh problemin me këtë ide duhet të jetë i vetëdijshëm që do ta preknin Kosovën dhe rajonin në përgjithësi.

Sa i përket taksës, Schmidt shtoi se se dialogu duhet të vazhdojë dhe intestifikohet dhe sipas tij çështja e taksës nuk do të jetë e përjetshme.

Në anën tjetër, Peter Beyer nga CDU-ja tha se Kosovës është mike e shtetit të tij, si dhe ritheksoi se janë kundër “korrigjimit të kufirit|.

“Ne nuk jemi vetëm në vizitë zyrtare, jemi pranë miqve tanë sepse Kosova është miku ynë. Sigurisht ne kemi biseduar edhe për proceset e ardhshme dhe për dialogun që e mbështesim të vazhdohet tutje, po ashtu edhe për shkëmbimin e territoreve që e kundërshtojmë në çdo aspekt”, tha ai.

Beyer shtoi se, në prag të zgjedhjeve parlamentare në BE, do ta luajnë rolin mbështetës për proceset e ardhshme si me dhe sy kritik.