Gjakovarët Ankohen në IPKO-n për Djegien e Televizorëve

Disa qytetarë të Gjakovës po ankohen nga rrufeja që e ka goditur një pjesë të qytetit të dielën e 16 tetorit 2016, janë djegur disa pajisje të rrjetit televiziv kabllovik të IPKO-s dhe televizorët.

Me një situatë të tillë është ballafaquar edhe Ardian Shehu.

Shehu i cili me profesion është menaxher i emergjencave, thotë se edhe përkundër faktit që shtëpia e tij është e pajisur me rrufepritës, dëmet që i janë shkaktuar pajisjeve te tij vijnë nga “Reseveri HDMI”, i cili në mekanizmin e tij nuk ka mbrojtje kundër rrufesë.

“Ne në mëngjes kur jemi zgjuar i kemi gjetur të gjitha pajisjet të djegura, ka qenë resiveri, ruteri dhe fatkeqësisht edhe televizori. E kemi hapë kapakun e resiverit dhe kemi konstatu që aty nuk ka siguresë për çështje të rrufepritësit ose të rrymës apo tensionit të lartë”, tha Shehu për KALLXO.com.

Shehu thonë ta ketë kuptuar këtë pasi që televizorin e tij e ka dërguar për ta rregulluar.

“Duhesh me heq dorë prej këtij televizori, ky është i djegur, se  motherbord-i i televizorit që i merr të dhënat prej HDMI-së që vjen nëpërmjet resiverit, ajo është djegë pllaka, ku është e furnizimit të rrymës, ajo e ka siguresën, domethënë nuk i ka ardhë prej rrymës po i ka ardhë ka  motherbord-i edhe është djeg televiziori”, thotë ai.

Por IPKO nuk merr përgjegjësinë për dëmtimet në pajisje.

Neë një përgjigje për KALLXO.com, yrtari për marrdhënje me publikun në këtë kompani, Alban Kastrati, tha se ankesat e tilla janë të pabazuara.

“Marrësi i TV digjital i IPKO-s është pajisje e certifikuar dhe e testuar para lansimit të shërbimit në treg. Në kushtet e përgjithshme të kontratës me secilin konsumator, IPKO u kërkon përdoruesve të saj që të marrin masa parandaluese për ta evituar çdo dëmtim eventual të pajisjeve elektronike shtëpiake, qoftë edhe nga kushtet e rënda atmosferike apo dëmet e shkaktuara nga forca madhore. Në përputhje me detyrimet e saj ligjore, IPKO ka ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm për të informuar konsumatorët e saj për hapat e nevojshëm për parandalimin e çdo dëmi ndaj pajisjeve elektronike në shtëpi dhe si rrjedhojë ankesat e ngjashme cilësohen si të pabazuara”, tha Alban Kastrati.

Por Ardian Shehu nuk bindet në arsyetimin e kompanisë.

“Gjithë këtë dëm, unë se di kush duhet me u përgjigj, a na jemi fajtorë që kemi ble te operatori IPKO-s, a janë fajtor ata, dikush duhet me nda këtë punë për dëmin që është ba në qytetin e Gjakovës”, thotë ai.