Shkodran Gaxherri, KRU "Gjakova". Foto: Kallxo.com

Gaxherri: E Ndërruam Gypin e Ujësjellësit, i Vjetri Ishte i Dobët

Cilësia e dyshimtë e gypit prej së paku tre kilometrave që ishte instaluar nga komuna e Rahovecit në rrjetin e ujësjellësit për pesë fshatrat: Çifllak, Kramovik, Dobidol, Polluzhë dhe Guri i Kuq ka bërë që të shkojnë huq mijëra euro para të taksapaguesve, zbuloi sonte hulumtimi i “Drejtësia në Kosovë”.

Projekti 412 mijë eurosh për furnizim me ujë të pesë fshatrave kishte patur probleme të vazhdueshme, pasi plasaritjet në një gjatësi prej 3 kilometrave bënë që banorët të kenë telashe me furnizim me ujë.

Arsyet e ndërrimit të gypit, fillimisht në vitin 2015 dy kilometra dhe në fillim të këtij viti 900 metrave tjera, sipas zyrtarëve të K.R.U. “Gjakova”, ish “Radoniqi”, janë te gypi jocilësor i instaluar në vitin 2012 nga komuna e Rahovecit.

Shkodran Gaxherri, drejtor teknik në KRU Gjakova, thotë se zgjerimi i rrjetit nga pesë fshatra në shtatë nuk është shkaktar i plasaritjeve të gypave të instaluar. Sipas tij, gypat që kanë qenë të instaluar, sikur të ishin të cilësisë së duhur kanë një kapacitet të furnizimit për mijëra banorë, apo së paku dhjetë fshatrave.

“Vetëm në vitin 2017 i kemi pasur mbi 40 defekte në gypin kryesor në gjatësi 900 metra. Vetëm në vitin 2017 i kemi mbi 45 mijë euro investime që i kemi bërë si pasojë gypit të keq që është instaluar në atë rrejt të ujësjellësit”, ka thënë Gaxherri për “Drejtësia në Kosovë”.

Sipas tij, rreth 80 mijë euro i kanë investuar në ndërrimin e gypave të cilët nuk i kanë përballuar shtypjes.

Gaxherri ka treguar se asnjëherë nuk ishin pyetur nga komuna e Rahovecit gjatë ekzekutimit të punimeve dhe as nuk e kanë pranuar teknikisht rrjetin që pati probleme dhe u desh të investohej dy herë.

Deklaratën e Shkodran Gaxherrit mund ta ndiqni në videon e mëposhtme:

Pas transmetimit të emisionit komuna e Rahovecit ka sqaruar opinionin me një letër Sqarimin e plotë mund ta lexoni këtu;Sqarim per Ujin e pijshem per Rahovec