Muzeu i Masakrës së Krushës së Madhe, Rahovec Foto: Antigona Isufi/ 26.03.2024

Pas 25 vitesh, hapet Muzeu i Masakrës së Krushës së Madhe

Mes qindra njerëzve të gjallë, e pranë varreve në 25-vjetorin e Masakrës së Krushës së Madhe, për herë të parë u hap muzeu për një nga masakrat më të mëdha dhe më të rënda të luftës së fundit në Kosovë.

Brenda Muzeut të Krushës së Madhe gjetën vend rrobat e fundit që janë veshur në trupin e të vrarëve, djepi që asnjëherë nuk u përkund, këpucë që nuk u mbathën kurrë më, rrëfime që dëshmojnë dhunën, fotografi  të viktimave e edhe të mbijeturave që i ruajtën për 25 vite në shtëpitë e tyre — artefakte që dokumentojnë çfarë terrori ka ndodhur nga 25 deri më 27 mars 1999 brenda një fshati të vogël të Rahovecit.

Muzeu, krushe e madhe
Muzeu i Masakrës së Krushës së Madhe, Rahovec Foto: Antigona Isufi/ 26.03.2024

Hapja e Muzeut nisi me tre nxënës të shkollës fillore në Krushë të Madhe “Ukshin Hoti”, të cilët lexuan emrat me rend të gjithë të vrarëve dhe të pagjeturve në Masakrën e Krushës së Madhe në mesin e tyre fëmijë, gra, pleq e burra, të familjeve.

E emrat që ngjallën dhimbje ishin 64 personat me mbiemrat: Hoti, Nuredini, Duraku, Dina, Nalli, Rexhepi, Sefullahu, Ramadani, Zeqiri, Krasniqi, Beqiri, Mahmuti, Sahiti, Iseni, të pagjetur që ende nuk dihet asgjë për fatin e tyre.

Gjatë kësaj masakre, rreth 241 banorë të fshatit u vranë. 64 viktimave ende nuk u janë gjetur trupat për t’u kthyer te më të dashurit e tyre.

Muzeu i Masakrës së Krushës së Madhe, Rahovec
Foto: Antigona Isufi/ 26.03.2024

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në manifestimin qendror në Krushë të Madhe tha që ky muze  është testament i një kapitulli të errët në jetën tonë.

“Ky muze do kontribuoj në formësimim e kujtesëse kolektive, thirrjes për drejtësi dhe nderimit të viktimave”- tha Osmani më 26.03.2024.

Osmani tha që ky “muze i mizorive” duhet të jetë kujtesë për të gjithë njerëzimin, që është gardiane e së vërtetës për brezat që vijnë.

Profesori universitar, antropologu, Arsim Canolli i cili ishte në krye të punimeve të Muzeut të Krushës së Madhe, tha që ky muze është në fazë fillestare e që duhet të plotësohet në vitet e ardhshme.

“Muzeu po hapet me një ekspozitë fillestare. Bazohet në kujtesën 200 intervistave të realizuara me të mbijetuarit, mbi 60 artefakte e fotografi”- tha Canolli për punën që është bërë për muzeun në katër vitet e fundit.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu tha që ky muze do i kontribojë kujtesës tonë kolektive për krimet gjenocidale.

“25 vite pas kërkesa jonë për drejtësi nuk duhet të ndalet, derisa Serbia të japë përgjegjësi”- tha Haxhiu.

Ndërkaq, ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, tha që akt i kujtimit i murosur si në këtë muze,  është thelbësor për drejtësinë tranzicionale.

“Ky muze është përkujtim. Kam marrë vesh që shumë prej juve keni avokuar që ky muze të jetë këtu. Ky muze të bëhet vendi ku do të takohemi”- tha Hovenier.

Ambasadori amerikan, Jeff Hovenier në hapjen e Muzeut të Masakrës së Krushës së Madhe, Rahovec
Foto: Antigona Isufi/ 26.03.2024

Hovenier tha që janë mbledhur këtu që të jemi dëshmitarë se çfarë ka ndodhur këtu, e që ky muze do i bashkojë edhe më shumë të gjithë brenda këtij Kompleksi Memorial.

“Si përfaqësues i Presidentit të Amerikës në Kosovë dua të shpreh ngushëllimet e mia se çfarë ka ndodhur këtu”- tha Hovenier, duke përmendur që NATO-ja veproi pikërisht për shkak të krimeve të Millosheviqit, dhe pasi që shterruan të gjitha opsionet tjera.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës qëndrojnë me njerëzit e Kosovës”- shtoi Hovenier.

Smajl Latifi, kryetar i Komunës së Rahovecit, tha që trupat e vrarë e të pagjetur nuk na lënë të qetë, e për këtë arsye është hapur ky muze për të dëshmuar se çfarë ka ndodhur në këtë vend.

“Muzeu u nis pas bashkëbisedimit me gratë e Krushës dhe ambasadorit amerikan atë kohë Philip Kosnett”- tha Latifi.

Ndërtimi i muzeut që do ruajë kujtesën kolektive nisi në vitin 2020.

Muzeu i Masakrës së Krushës së Madhe, Rahovec
Foto: Antigona Isufi/ 26.03.2024

“Ky muze që do trokas në derën tonë. Luftën, djersën e gjakut ia kemi borxh vendit. Edhe pse kjo tokë u la me gjak ne qëndruam këtu te varret e më të dashurve tanë”- tha Latifi.

Kurse, ambasadori i Gjermanisë në Prishtinë, Joern Rohde, tha që Masakra e Krushës së Madhe, si dhe masakrat tjera vetëm treguan që kishte ardhur koha më që të ndalohet spastrimi etnik që bëhej në Kosovë.

“Veç mund të them që është shumë mirë që është ndërtuar ky muze për të ruajtur kujtimin”- tha ai.

Muzeu i Masakrës së Krushës së Madhe, Rahovec
Foto: Antigona Isufi/ 26.03.2024

Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj, tha që Shqipëria ndan shumë me Kosovën që asnjë fatkeqësi e madhe nuk mund ta ndajë dhe se ashtu do qëndrojnë në çdo hap.

“Muzeu qëndron si fener shprese kundër forcave të harresës dhe ndarjes” – tha Malaj.

Fotogaleri nga Muzeu i Masakrës në Krushë të Madhe: