Hashim Thaçi në ditën kur dha betimin si President i Kosovës - Foto: Atdhe Mulla
Fjalimi i Thaçit: AAK e Nisma Kundër, Vetëvendosje e Pavendosur
Hashim Thaçi për herë të parë që nga betimi si president do t’u drejtohet deputetëve të Kuvendit të Kosovës.
Nesër nga ora 11:00, Thaçi do të përmbush obligimin e tij kushtetues për të raportuar para deputetëve për punën e tij si President.
AAK dhe Nisma për Kosovën kanë konfirmuar për KALLXO.com se nuk do të marrin pjesë në seancën e së premtes, ndërsa Lëvizja Vetëvendosje thotë që ende nuk kanë marrë vendim për këtë çështje.
Lidhur me këtë seancë, deputetët e Kuvendit të Kosovës janë njoftuar gjatë ditës së djeshme.
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje Aida Dërguti e ka konfirmuar për KALLXO.com se janë njoftuar gjatë ditës së djeshme për këtë seancë.
“Jemi njoftuar dje për seancën e nesërme ku Presidenti do t’u drejtohet deputetëve, por është çështje tjetër nëse marrim pjesë ose jo”, tha Dërguti për KALLXO.com
Mirëpo, kur u pyet nëse Vetëvendosje do të marrë pjesë, ajo tha se ende nuk kanë vendosur.
“Ende nuk e kemi vendosur në lidhje me këtë seancë”, u përgjigj shkurt nënkryetarja e Kuvendit nga radhët e VV-së.
Në anën tjetër, AAK nuk e quan fjalim e nesërm të Thaçit si drejtim të deputetëve, por si një “ekspoze” të tij.
“Ne nuk do të marrim pjesë nesër në ekspozenë e z. Thaçi. Ne nuk e kemi votuar, nuk është faktori i unitetit”, tha për KALLXO.com shefi i grupit parlamentarë të AAK-së, Pal Lekaj.
Ndërsa, Nisma për Kosovën thotë se nuk do të jenë nesër në Kuvend gjatë fjalimit, siç shprehen ata, të “presidentit të LDK-së e PDK-së”.
“Ky njeri nuk është president i cili përfaqëson unitetin e popullit, është president i gazit dhe i votës se blerë, është president i PDK-së, LDK-së dhe t’u drejtohet atyre sepse ky njeri nuk e meriton të jetë në krye të shtetit”, tha për KALLXO.com shefja e grupit parlamentar të Nismës, Valdete Bajrami.
Partitë opozitare nuk kanë shkuar te Presidenti as për të diskutuar për reformën zgjedhore, takim që është mbajtur në fillim të nëntorit.
http://kallxo.com/aak-e-nisma-e-kote-ftesa-e-thacit/
Në anën tjetër, ish-Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga fjalimin e fundit vjetor e kishte mbajtur më 17 dhjetor 2015.
http://kallxo.com/jahjaga-kosova-me-e-rendesishme-se-secili-prej-nesh/
Ky është fjalimi i parë i Presidenti Thaçi para deputetëve.
Hashim Thaçi u zgjodh president i Kosovës në shkurt të këtij viti.
http://kallxo.com/hashim-thaci-zgjedhet-president-i-kosoves/