Fisnik Ismailit as nuk iu rrit as nuk iu zvogëlua 'Karrota'

Nëse vitin e kaluar deputetit të PSD-së, Fisnik Ismailit, i ishte zvogëluar kompania e tij “Karrota”, në deklarimin e pasurisë për këtë vit, deputeti Ismaili e ka vlerësuar njëjtë si në 2017.

Në deklarimin e pasurisë për vitin 2016, Fisnik Ismaili e kishte vlerësuar kompaninë e tij, ku është aksionari i vetëm me vlerë prej 1 milion e 200 mijë euro, më 2017 ai e kishte vlerësuar kompaninë për 500 mijë euro më pak.

Ndërsa këtë vit, vlera e kompanisë është e njëjtë. Ai përsëri e ka vlerësuar 700 mijë euro.

Më 2017, Ismaili ka deklaruar se ka kredi me vlerë prej 15 mijë e 500 euro, që e kishte marrë për blerje të banesës, ndërsa më 2018 ai ka deklaruar se kredia e tij është 60 mijë euro.

Ndryshime nga viti i kaluar me këtë vit është edhe paga në Kuvendin e Kosovës. Në deklarimin e 2017, Ismaili kishte deklaruar pagën vjetore si deputet i Kuvendit me vlerë prej 20 mijë e 859 euro. Ndërsa në deklarimin e pasurisë për këtë vit, Ismaili ka deklaruar se paga e tij vjetore si deputet i Kuvendit është 17 mijë e 341 euro, apo 3 mijë e 518 euro më pak.

Deputeti Ismaili merr pagë edhe si ligjërues në një universitet privat, ku arkëton 5 mijë euro në vit. Të njëjta i kishte përfituar edhe gjatë vitit të kaluar.

Ai posedon edhe dy banesa, njërën të blerë e tjetrën të trashëguar. Banesën të cilën e ka trashëguar e vlerëson me 40 mijë euro, ndërsa banesën e blerë në 2014 e ka vlerësuar me vlerë prej 60 mijë euro.

Njëjtë i kishte deklaruar edhe vitin e kaluar.