Fillon vlerësimi i mësimdhënësve, të pasuksesshmit mund ta humbin licensën

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ka nisur zyrtarisht procesin e vlerësimit të mësimdhënësve.

Ministri Shyqyri Bytyqi tha se ky proces është në kuadër të nismës për rritjen e cilësisë në arsim.

“Pasi që jemi zotuar si ministri janë bërë të gjitha përgatitjet dhe është bërë përzgjedhja e parë e mësimdhënësve për matjen e performancës. Qëllimi i matjes është që të ngritet cilësia në arsim Të gjithë mësimdhënësit do duhet të kenë përgatitje të lartë në lëndët e tyre”, tha Bytyqi.

Sipas Bytyqit nga vlerësimet mund të dalin katër lloj rezultate: i shkëlqyeshëm, i mirë, i kënaqshëm dhe i pakënaqshëm.

Sipas tij një rezultat i keq mund të ndikojë në humbjen e licencës për mësimdhënësin.

“ Duke qenë se jemi në fazën fillestare janë zgjedhur shkollat e para. 217 mësimdhënës të parë që do t’i nënshtrohen fazën e parë të matjes së performancës. Matja e performancës së brendshme dhe jashtme. Mund të ketë mësimdhënës që mund të dështojë në rilicensim”, tha ai.

Në anën tjetër, Kryeinspektori i Arsimit, Dëfrim Gashi tregoi fazat e vlerësimit që sipas tij përfshijnë vlerësimin vetanak të mësimdhënësit, pastaj të drejtorit të shkollës dhe në fund inspektoratit.

Ministri ritheksoi se ky lloj vlerësimi do duhej të përkrahej edhe nga mësuesit pasi sipas tij i ofron mundësi për ngritje në karrierë.

Në këto vlerësime, mësimdhënësit kanë të drejtë ankese dhe në rast të humbjes së licensës, kanë të drejtë riaplikimi.

Faza e parë e vlerësimit pritet të përmbyllet në vitin 2021.