Caktohen datat për prezantimin e projekteve filmike para jurisë së QKK-së

Qendra Kinematografike e Kosovës do të mbajë në fillim të javës së ardhshme prezantimin e projekteve filmike që kanë konkurruar në konkursin e QKK-së, të hapur në korrik të këtij viti.

Në një përgjigje për Kallxo.com, QKK-ja ka bërë të ditur se të hënë dhe të martën e ardhshme, para jurisë përzgjedhëse do të bëhet prezantimi i projekteve konkurruese.

Sipas QKK-së, prezantimi do të bëhet online përmes platformës ZOOM, për shkak të situatës me krijuar nga Pandemia e Coronavirusit.

“Prezantimi i projekteve filmike para jurisë do të mbahen të hënën dhe të martën (16 dhe 17 nëntor). Prezantimi i projekteve do të bëhet përmes platformës ZOOM”, thuhet në përgjigjen e QKK-së, për Kallxo.com.

Në konkursin e sivjetmë të QKK-së për mbështetje të projekteve filmike, kanë konkurruar 71 projekte.

Nga këto projekte, 12 janë në kategorinë e metrazhit të gjatë artistik, 11 projekte në kategorinë e bashkëprodhimeve minorë për film të metrazhit të gjatë artistik, 6 projekte në kategorinë e filmit të metrazhit të gjatë dokumentar, 3 projekte në kategorinë për postproduksion të filmit të metrazhit të gjatë artistik, 1 projekt në kategorinë e filmave të regjisorëve debutant, 14 projekte në kategorinë e filmave të shkurtë artistik, 3 projekte në kategorinë e filmave të shkurtë dokumentar, 5 projekte në kategorinë e filmave të shkurtë të animuar, 16 projekte në kategorinë për zhvillim skenari për film të metrazhit të gjatë artistik, dokumentarë dhe të animuar.

Shuma e buxheti të QKK-së për këtë vit është 810,000 euro, shumica e së cilës ndahet për mbështetjen e projekteve filmike.

Përgjegjës për përzgjedhjen e projekteve filmike është juria, e cila sipas Rregullores për punë e jurisë vlerësuese për projekteve që mbështeten nga QKK-ja, emërohet nga Këshilli Drejtues i QKK-së.

Juri vlerësuese përbëhet nga 7 anëtarë. Për vlerësimin e projekteve filmike të metrazhit të gjatë artistik, sipas rregullores, 2 nga 7 anëtarët e jurisë duhet të jenë të huaj.

Të drejtë pjesëmarrje në konkursin e QKK-së për mbështetje të projekteve filmike, sipas Rregullores për subvenciononin e projekteve filmike nga QKK-ja, kanë të gjitha produksionet vendore dhe të huaja të regjistruara në Kosovë, si subjekte biznesi për prodhimin e filmit, të regjistruara në QKK.