Xhavit Rexhaj - Foto: Fatrion Ibrahimi/Kallxo.com

Rexhaj: Me këtë sistem arsimi po i dëmtojmë fëmijët, po prodhojmë kriminelë

Xhavit Rexhaj, ekspert i arsimit, ka thënë se të dhënat e fundit të Zyrës Kombëtare të Auditorit duhet të interpretohen drejt. Sipas tij, aty tregohet shpërputhje mes rezultateve të vlerësimit të brendshëm në shkolla me atë të testit të arritshmërisë.

Ai në emisionin “Kallxo Përnime” shtoi se ka keqmenaxhim në vlerësime, pa e llogaritur fare vlerësimin nga jashtë, si ai i PISA-s.

“Të dhënat e Zyrës Kombëtare të Auditorit pët testet e arritshmërisë duhet të interpretohen drejt, tregohet një shpërputhje relative mes rezultateve të vlerësimit të brendshëm në shkollë me testin e arritshmërisë. Ka keqmenaxhim në ndonjërin prej vlerësimeve, e lëre me në krahasim me jashtë”, ka thënë ai.

Sipas tij, testi PISA përgatit për jetë, nuk vlerëson dijen.

“Testi Pisa nuk e vlerëson dijen por përgatitjen për jetë. Ka shumë shpërputhje mes kurrikulës, vlerësimit në klasë, kurrikulës me testin e maturës dhe mes këtyre testeve me PISA-ë”, shtoi Rexhaj.

“Kurrikula e Kosovës është tendencë e tipit të PISA-s, ku thuhet se fëmijët duhet t’i përgatisim për jetë. Tani, edhe vlerësimi në shkollë edhe ai i standardizuar i jashtëm i tërheq fëmijët  ku i thotë të mbajë mend e jo të komunikojë”, shtoi tutje ai.

Sipas tij, në këtë raport thuhet që nuk ka monitorim e as reagim nga MASHT.

“Në këtë raportin e Auditorit thuhet se nuk ka reagim nga MASHT, inspektoriati, nuk ka monitorim, nuk lodhemi për këto punë ne. Pse dalim keq në PISA, pse kopjojmë, sepse jemi improvizues të mrekullueshëm në arsim”, shtoi ai.

Sipas tij, me këtë sistem arsimi ne po prodhojmë kriminelë.

“Ne nuk jemi seriozë në arsim,  arsimi te ne përdoret vetëm për me punësu militantë”.

“Me këtë sistem arsimi po i dëmtojmë fëmijët tanë, po prodhojmë kriminelë, pse nuk bëhen të tillë është meritë e tyre, s’e di pse, diçka i mbron”, ka thënë ai.

 “Fëmijët nuk po i shkollojmë ashtu si duhet, nuk po i edukojmë, nuk ka shprehi pune, as disiplinë. Jemi në një krizë të thellë”, ka thënë Rexhaj.