Arsim Halili propozohet për zv/drejtor të RTK-së

Ashtu siç raportoi KALLXO.com më 19 gusht, janë intervistuar kandidatët që kanë konkurruar për pozitën e zv/drejtorit të përgjithshëm të RTK-së.

Për kandidatët që u intervistuan nga ky Komision Vlerësues, KALLXO.com ka kërkuar qasje në CV-të e tyre qysh prej fillimit të këtij procesi, mirëpo ndonëse me vendim KALLXO.com-it i është aprovuar kërkesa për qasje, RTK ka refuzuar që të ofrojë qasje fizike në CV-të e kanidatëve.

Fillimisht RTK është arsyetuar se i duhet kohë shtesë për mbulimin e të dhënave personale, pas instistimit të KALLXO.com, ditën e intervistimit të kandidatëve qasja në CV-të e kandidatëve na është ofruar vetëm në shikim.

Për 6 CV-të e kandidatëve, KALLXO.com-it iu dhanë vetëm 15 minuta kohë për t`i shikuar ato, kohë kjo e pa-mjaftueshme për të evidentuar se a i kanë plotësuar kriteret ata kandidatë.

Ligji për qasje në dokumente publike përcakton qartë se kërkuesi ka të drejtë të zgjedh mënyrën e qasjes në ato dokumente.

“Kur institucioni publik lejon qasjen në dokumente publike, kërkuesi ka të drejtë të zgjedhë formën për qasje në dokumentet të tilla” – thotë neni 14 i këtij ligji.

Komisioni Vlerësues i kryesuar nga Zeljko Tvrdisiq, paraprakisht përgatiti 6 pyetje të cilat do iu drejtoheshin kandidatëve dhe ky komision vendosi se çdo kandidati do t`i kushtohen 40 minuta për intervistim.

Nga ato minuta, 20 minutat e para kandidatët patën mundësi të prezantonin koncept-strategjitë e tyre, të cilat do të vlerësoheshin me maksimum 40 pikë kurse 20 minuta iu përgjigjen 6 pyetjeve të Komisionit.

Pyetjet e parashtruara kishin të bënin me të gjitha fushat e menaxhimit të një mediumi, duke filluar nga mënyra e financimit e deri tek ngecjet që ka hasur Radio e RTK, e përgjigjet e tyre u vlerësuan me maksimum 10 pikë.

Pas intervistimit të kandidatëve secili anëtar i komisionit pasi që bëri vlerësimin për kandidatët pikët u kumtuan për monitoruesit dhe pjesëmarrësit në proces.

Kujtojmë se kandidatët e ftuar në intervistë ishin Adriana Kabashi, Arsim Halili, Artan Cërrnaveri, Faton Mehmetaj, Rilind Gërvalla dhe Naser Thaçi.

Prej tyre vetëm Artan Cërrnaveri nuk mori pjesë fare në intervistë, gjë që solli diskualifikimin e tij.

Kurse kandidatët e tjerë iu nënshtruan procesit të intervistimit, secili me radhë duke shfrytëzuar 40 minutshin që iu përkiste, përveç kandidatit Faton Mehmetaj i cili shfrytëzoi vetëm rreth 15 minuta nga ato që kishte në dispozicion.

Kandidati i cili u vlerësua me më së shumti pikë është ish ushtruesi i detyrës së zv/drejtor i RTK, Arsim Halili. Ai numëron 456 pikë apo 91,2% të pikëve.

Arsim Halili la pas vetes Rilind Gërvallën me 400 pikë, Naser Thaçin me 317 pikë, Adriana Kabashin me 294 pikë, Faton Mehmetajn me 119 pikë.

Konkursi i parë për zv/drejtor u shpall para disa javëve por dështoi. Edhe konkursi për drejtor të përgjithshëm u anulua një herë dhe u rishpall për shkak se monitorimi i BIRN konstatoi shkelje, por RTK zyrtarisht tha që u anulua për shkak të paqartësive ligjore.

Posti për zv/drejtor të RTK-së është hapur saktë pas 6 muajve pasi që Arsim Halilit, që momentalisht e ushtron detyrën e zv/drejtorit të përgjithshëm, i ka kaluar afati për të vazhduar si U.D. zëvendës drejtor. Halili është në garë për këtë pozitë.

Prokuroria Speciale ia ka konfirmuar Kallxo.com që është duke bërë hetime fillestare lidhur me shkeljet e raportuara në trajtimin gjyqësor të rastit të Arsim Halilit në të cilin janë të përfshirë gazetarë të RTK-së dhe një gjykatëse.

Për shkak të profilit të lartë të personave të përfshirë në këtë hetim fillestar, me këtë rast po merret Prokuroria Speciale.

Këtë e ka konfirmuar edhe Agjencia Kundër Korrupcionit që kishte qenë duke e trajtuar raportimin për konflikt interesi që e përfshinte Halilin dhe Shkumbin Ahmetxhekajn.

Fillimisht, Halili ishte degraduar në pozitë nga komisioni disiplinor i RTK-së në vitin 2016 kur kishte bërë komente homofobike në profilin e tij të Facebook.

Për këto komente Këshilli i Mediave të Shkruara (KMShK) kishte lëshuar vendim duke thënë që “Në postimin e Arsim Halilit ka gjuhë të papranueshme, madje denigruese ndaj komunitetit LGBTI”.

Rilind Gërvalla ka punuar redaktor i redaksisë të lajmeve ndërkombëtare për disa vjet dhe ka qenë udhëheqës i njësisë për këmbime të materialeve.

Artan Cernaveri ka punuar inxhinier i IT-së por avancimi i tij i fundit në RTK është kontestuar nga Inspektorati i Punës. Adriana Kabashi ka përvojë si redaktore e programit kulturor në RTK. Naser Thaçi ka qenë redaktor përgjegjës i RTK4. Faton Mehmetaj ka qenë anëtarë i bordit të RTK-së disa vite.

Sipas Rregullores për procedurat e përzgjedhjes së Menaxhmentit të lartë të RTK-së, kushtet dhe kriteret e veçanta që duhet kandidatët t’i plotësojnë janë: kualifikimi universitar, integriteti i lartë personal dhe profesional, të ketë së paku 4 vite përvojë pune të menaxhimit në media ose në fusha të tjera relevante, të zotërojë ndonjërën nga gjuhët zyrtare të RKS në të folur dhe në të shkruar, njohja e gjuhës angleze konsiderohet përparësi, aftësi për caktimin e prioriteteve dhe për të punuar në mënyrë efikase nën presion kohor, aftësi për të bashkëvepruar me maturi dhe ndjeshmëri me kolegë dhe palë.

Të gjitha raportimet e KALLXO.com për RTK-në mund t`i lexoni duke klikuar në LINK