Facebook: MAK

Përpunimi pa kritere i këngëve të vjetra, përdhos vlerat e tyre

Përpunimi i këngëve të vjetra popullore apo ato të këngëtarëve të njohur interpretuar dekada më parë, në zhanre të ndryshme nga këngëtarët, është bërë trend në dekadën e fundit. Perlat popullore shqipe, të përpunuara janë sjellë në skenat muzikore në vend.

Këto këngë të sjella në versione të reja po pëlqehen nga audienca, siç ishte rasti i koncertit të fundit të këngëtares Rona Nishlu, e cila mbushi KINO Armatën, gjatë prezantimit të albumit të saj, “Mindil”, ku thuajse të gjitha këngët e interpretuara në muzikën Jazz janë versione të këngëve të njohura, si: “Moj mira te pojata”, “Baresha”, “Mallëngjimi”, etj.

Por, pavarësisht suksesit dhe pëlqimit nga publiku, kompozitorët dhe krijuesit kosovarë japin mendime të ndryshme rreth trendit të përpunimit në versione të ndryshme të perlave muzikore shqipe.

Arsyet e rikthimit

Kompozitori Sami Piraj, kritik muzike, ka përmendur tri arsye që i bëjnë këngëtarët t`i kthehen interpretimit të perlave të muzikës popullore shqipe.

Së pari, sipas Pirajt muzika popullore ka një gamë të gjerë të vokacionit artistik, sepse si bazë të mëvetësisë ka trashëgiminë e melodisë e cila në shumë raste është embrioni i tërë krijimit artistik.

Ndërkaq elementi i dytë, sipas kompozitorit Piraj është se muzika popullore i ka përballuar, siç ka thënë ai, “furtunave” të cilat e kanë bërë edhe më të fortë duke e bërë krijimin art-fakt.

“Elementi i tretë është gjithsesi teksti i cili ndonëse ka shumë edhe frymën e një logjike të një mentaliteti “provincial” madje shpesh edhe baritore (në rrethana të caktuara) edhe i arsyeshëm, ka krijuar një traditë të kultivimit zhanëror dhe kjo e bën edhe sot të dëshiruar për kohën dhe momentin”, ka pohuar kritiku, Piraj, për Kallxo.com.

Kurse kompozitori Florent Boshnjaku, ka potencuar se muzika e mirë dhe e bukur kudo në botë kultivohet.

“Po mendoj që edhe tek ne po vjen një kohë dhe një përgjegjësi për krijimet origjinale dhe të rëndësishme të kultivohen, ruhen dhe normalisht të ripërtërihen, është kohë e mirë në muzikë në vendin tonë nëse vazhdon ky trend”, është shprehur kompozitori Boshnjaku.

Vlerësim apo mungesë afinitetit

Por, rokeri dhe krijuesi Bujar Meholli, ka një mendim më ndryshme. Ai shprehet se rikthimi te këngët e vjetra shqipe i këngëtarëve aktual shqiptarë, që është bërë trend një kohë të gjatë, është një kaos i madh, meqë sië ka thënë më tej ai, një artist nuk e di saktë se çfarë do, dhe çfarë dëshiron t’i ofrojë publikut.

“Nuk mund të mos them se ky është kiç, i cili është shtrirë në pothuajse gjithë skenën muzikore shqiptare dhe artistët e rinj, që provojnë të sjellin për publikun këngë dhe tekste shumë të mira, origjinale, gëzojnë interesim shumë të vogël”, ka thënë Meholli.

Sipas tij, njëra nga arsyet e mëdha, pse çdo i dyti këngëtar rrëmon në arkiva dhe merr një këngë të vjetër, e përpunon dhe e sjell në version tjetër është mungesa e afinitetit krijues.

“Shumë nga artistët e sotëm janë pa ide dhe pa stil të caktuar, ata këndojnë çdo gjë, zhanri i tyre është i shumëllojshëm”, kështu, shtoi Meholli. Sipas tij, vetëm sa po prishen këngët e vjetra, duke iu veshur gjithfarë tingujsh kaotik, që s’janë gjë veçse kakofoni.

Për Mehollin këngët e vjetra nuk bën të preken, pasi janë pjese e plejadës së këngëve të vjetra shqipe ato duhet të jenë të mëvetësishme dhe të shijohen ashtu siç janë, në origjinal.

“Nëpër vende të zhvilluara si Amerika apo Franca, këngët e vjetra janë pasuri shtetërore. Ato ruhen me pasion të madh, jetohet me to, këndohen e rikëndohen mijëra herë, mirëpo në asnjë mënyrë nuk përdhosen, nuk ndryshohen, nuk ju vihen elemente që jua zbehin bukurinë dhe veçantinë; edhe ne duhet të ndjekim këtë shembull”, ka pohuar rokeri Bujar Meholli.