Publikohen rezultatet e intervistimit të kandidatëve për Drejtor të Policisë

Janë publikuar rezultatet e intervistimit të kandidatëve për Drejtor të Policisë së Kosovës. Kompania e angazhuar nga Ambasada Britanike për t’i ofruar asistencë në rekrutim të pozitave të larta drejtuese i kanë publikuar rezultatet e intervistimit të kandidatëve për Drejtor të Policisë së Kosovës.

Kandidati Samedin Mehmeti është më i poentuari nga ekspertët britanikë, duke grumbulluar 29.5 pikë. Mehmeti është caktuar ushtrues detyre i Drejtorit të Policisë pas shkarkimit të drejtorit, Rashit Qalaj. Të emërueshëm sipas ekspertëve britanikë janë edhe dy kandidatë të tjerë: Fahredin Vërbovci që ka marrë 26 pikë dhe ish-Drejtori Rajonal i Policisë në Prishtinë, Rexhep Sijarina që ka grumbulluar 24 pikë.

 

Komisioni vlerësues vendor ende nuk i ka publikuar rezultatet e intervistimit.

Procesi i përzgjedhjes së Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës është monitoruar edhe nga Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese- BIRN.

Qëllimi i publikimit të vlerësimeve siç ka thënë Ambasada Britanike në uebfaqen e tyre është që të përmirësohet transparenca e përzgjedhjes për proceset e zyrtarëve të lartë publik, dhe kjo po bëhet pas konsultimit me Agjencinë Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.