Ilustrim

FFK flet për biletat 'në të zezë' për ndeshjen me Ishujt Faroe

Federata e Futbollit e Kosovës ka dhënë një sqarim në lidhje me shitjen e biletave në treg të zi për ndeshjen e Kosovës me Ishujt Faroe.

FFK ka deklaruar se qysh në fillim të përgatitjeve për ndeshjen Kosovë – Ishujt Faroe, në kordinim të plotë me UEFA-n dhe pas kontraktimit me kompaninë për shitjen e biletave të ndeshjes, ka marrë vendim në bazë të ligjit për parandalimin dhe sanksionimin e dhunës dhe dukurive negative në ngjarje sportive, që një personi nuk mund t’i shiten më shumë se 7 bileta.

“Ditët e fundit ka zëra se persona të caktuar kanë blerë numër më të madh të biletave dhe ato i kanë vendosur në shitje në treg të zi. FFK bën me dije se nuk mban përgjegjësi për shitjen e tillë të biletave dhe fton organet kompetente që të marrin masat e nevojshme që manipuluesit e tillë të vihen nën pranga dhe të dalin para drejtësisë, ngase në këtë mënyrë po i shkaktojnë dëme jo vetëm qytetarëve dhe institucionit tonë, por edhe po krijojnë imazh të keq para opinionit ndërkombëtar”, vazhdon sqarimi i FFK-së.

FFK-ja ka thënë se do të bëjnë çmos që qysh nga ndeshja e ardhshme shitjen e biletave ta bëjmë nëpërmjet sistemit online, në mënyrë që dokuritë e tilla negative të mos përsëriten.

“FFK njofton opinionin se përveç biletave që kanë qenë të akorduara për shtëpinë e futbollit dhe pa çmim, asnjë biletë tjerë nuk ka qenë në dispozicion të FFK-së”, thuhet në sqarim.

FFK u ka kërkuar falje të gjithë qytetarëve dhe dashamirëve të vërtetë të futbollit të cilët fatkeqësisht kësaj radhe nuk kanë mundur të pajisen me biletë për të parë kombëtaren.

“Njëherësh, meqenëse kjo është një ditë e veçantë për të gjithë ne, pasi për herë të parë do të luajmë ndeshje zyrtare në stadiumin “Fadil Vokrri” urojmë të gjithë dashamirët dhe i ftojmë që sonte të kenë anim të zjarrtë por korrekt për t’i dëshmuar botës që kemi kulturë të lartë sportive. Ndërkaq, të gjithë qytetarët që me gjithë dëshirën e madhe që të kenë një biletë por që nuk e patën një mundësi të tillë, urojmë që këtë ndeshje ta shijojnë me familjet e tyre nëpërmjet rrjeteve televizive”, përfundon sqarimi i FFK-së.