Stadiumi Fadil Vokrri

Foto: Denis Sllovinja/KALLXO.com

FFK tregon se sa bileta janë në shitje për ndeshjen Kosovë-Jordani

Sonte, me fillim prej orës 18:00, në stadiumin “Fadil Vokrri”, zhvillohet miqësorja mes Kosovës dhe Jordanisë.

KALLXO.com e ka pyetur Federatën e Futbollit të Kosovës se sa bileta janë shitur për këtë ndeshje,

Zyra për Media e FFK-së ka thënë për KALLXO.com se në dispozicion janë 3000 bileta dhe se biletat janë në dispozicion deri në momentin e fundit.

“Në ndeshjen Kosovë – Jordani, të drejtë pjesëmarrje kanë 30% e kapacitetit të stadiumit, që i bie mbi 3000 persona. Bileta ka ende në pikat shitëse dhe ato do të jenë në dispozicion deri në momentin e fundit”, thuhet në përgjigjen e Zyrës për Media të Federatës së Futbollit të Kosovës.

Po ashtu nga Zyra për Media thonë që interesimi për të parë ndeshjet e Kosovës nuk mungon asnjëherë por që po ndikojnë disa faktorë që të ketë numër të madh të futbolldashësve në stadium.

“Interesimi për të parë ndeshjet e Kosovës nuk mungon asnjëherë, por tani faktorët sikurse është moti i ftohtë dhe masat anti-COVID edhe mund të i kufizojnë futbolldashësit të jenë të pranishëm në stadium”, thonë nga Zyra për Media e FFK-së.

KALLLXO.com ka pyetur FFK-në edhe për çështjen e trajnerit të ri të Kosovës.

“Çështja e trajnerit të ri është diskutuar tashmë dhe ju kemi njoftuar që skuadrën do të vazhdojë ta drejtojë ky ekip, pjesë e së cilës tash e sa kohë është edhe vet Primozh Gliha. Tani kemi dy ndeshje përpara të cilat presim të i përfundojmë me sukses”, thanë nga Zyra për Media e FFK-së.