FFK ‘përjashton’ qytetet e tjera, shet bileta për ndeshjen e Kosovës veç në kryeqytet

Federata e Futbollit të Kosovës ka injoruar pjesën më të madhe të qytetarëve nga Kosova duke mos u ofruar mundësi të barabarta për t’u pajisur me bileta për ndeshjen Kosovë – Burkina Faso që zhvillohet me 24 mars në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Pas dështimit që biletat të shiten online, FFK mori vendim që biletat të shiteshin fizikisht.

Mirëpo, në njoftimin e sotëm nga ana e Federatës, biletat mund të blihen vetëm në kryeqytet, ndërsa nuk u ka ofruar mundësi që biletat të shiten edhe në qytete të tjera brenda Kosovës, duke ua vështirësuar shumë mundësinë që të jenë të pranishëm në “Fadil Vokrri”.

“Federata e Futbollit e Kosovës njofton opinionin se sot në orën 13:00, do të fillojë shitja e biletave për ndeshjen miqësore Kosova – Burkina Faso, e cila zhvillohet më 24 mars në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë në orën 18:00. Shitja e biletave bëhet në mënyrë fizike në dy pika të kompanisë Artmotion në Prishtinë”, thuhet në njoftimin e FFK-së.

Shumica e tifozëve që vijnë nga qytetet tjera e që dëshirojnë të pajisen me një biletë për këtë ndeshje, do ta kenë të vështirë për shkak të rrugës që duhet ta bëjnë për të siguruar atë.

KALLXO.com ka dërguar pyetje në drejtim të Federatës së Futbollit të Kosovës për të marr një përgjigje lidhur më ketë çështje, por deri në publikimin e këtij artikulli, nuk kemi pranuar përgjiigje.

Një qytetar nga Deçani duhet t’i bëjë 89 km një drejtim, apo 179 kilometra vetëm për të provuar të blejë një biletë.

Distanca e disa prej qyteteve kosovare nga kryeqyteti:

Dragash – Prishtinë – 111 km (222 km)

Prizren – Prishtinë – 84 km ( 168 km)

Kamenicë – Prishtinë – 56 km ( 112 km)

Han i Elezit – Prishtinë – 69 km (138 km)

Pejë – Prishtinë – 83 kilometra ( 166 km)

Gjakovë – Prishtinë 88 km ( 176 km)